Monika Kryemadhi, të rinjve: Ju jeni brezi i përmbysjes së diktaturës së krimit dhe të drogës

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi sot në akademinë e rinjve të LRI në Jalë, se rinia duhet të reagojë e para ndaj situatës ku është futur sot vendi.

Kryemadhi i shpreh se ky brez ka një mision historik për të shkëputur qeverisjen nga lidhjet me drogën dhe me krimin dhe për ta bërë Shqipërinë një vend me standarde europiane.

Ju jeni brezi i përmbysjes së diktaturës së krimit dhe të drogës. Sot jemi në një demokraci të pa konsoliduar, fantazmat e diktaturës po shfaqen në formën e bandave. Nëse në komunizëm përplaseshim me Sigurimin e Shtetit, sot përballemi me diktaturën e drogës dhe të krimit, që është më e fortë. Kjo diktaturë po mbështetet nga narko-shteti. Ëndrrat janë ato që ndryshojnë botën dhe jetën tonë, janë motivi që inspirojnë motivin për të ardhëm e tyre. Njerëzit luftojnë për të qenë në vendin e tyre me integritet, ajo çka duhet të them se misioni i LRI, nuk është thjesht për të dhënë disa mundësi, por mision që të ndryshoj klasën politikë në vend”,- deklaroi Monika Kryemadhi.

VIDEO/Fjala e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi

Fjala e plotë e kryetares së LSI:

“Sot në ditën e fundit të kampit ky grup prej djemsh dhe vajzash që faktikisht mosha mesatare e juaja është 18 vjeç, pra do të thotë që ju jeni shumë të vegjël, por jeni dhe shumë të fortë. Sot ky grup mjaft modest arriti kulmin e tij me thjeshtësinë, me inspirimin, por mbi të gjitha me pasionin, me forcën, me entuziazmin për të cilin të gjithë ne kemi nevojë. Është shumë e rëndësishme që ta dëgjojmë njëri tjetrin sepse ajo çfarë ne sot do diskutojmë apo gjithë rezymen e punës tuaj janë hapa shumë të rëndësishme për të ardhmen.

Dua të them që ky grup modest i juaji sot që brenda vetes së tij ka një entuziazëm, ka një thjeshtësi, ka pasionin, është shumë i rëndësishëm për LSI-në, sepse ai është motivimi dhe është inspirimi. Ju thatë një njeri mund të ndryshojë botën. Por mendojeni ju këtu sa të rinj jeni këtu që jeni me qindra si mund ta ndryshoni botën duke shpresuar dhe duke mos hequr dorë nga ëndrrat tuaja. Sepse ëndrrat janë ato që ndryshuan botën, janë ato që ndryshuan jetën e çdo njeriu nga ne dhe mbi të gjitha ëndrrat janë motivi që inspirojnë të rinjtë për të ndërtuar të ardhmen e tyre. Problemet tona në Shqipëri janë nga më të mëdhatë. Ju jeni një brez i ri, nuk mund të them që dhe unë jam e vjetër por për vitet që kam dhe për kohën që kam jetuar në moshën tuaj, kam jetuar në një sistem tjetër. Në një sistem ku njerëzit nuk ishin të lirë, që quhej diktaturë. Dhe kam jetuar në një sistem ku dhe bukën e përditshme e merrnim me tollonë, për të mos thënë që kishte me javë të tëra apo dhe me muaj pa ushqyer. Kam jetuar në një sistem ku nuk mund të them që kam qenë e privilegjuar por as e diskriminuar, por kam qenë një nga 3 milion shqiptarët që jetonin në këtë vend. Ajo që është e rëndësishme, në 90, studentët shqiptarë rinia shqiptare e përmbysi atë sistem i cili në thelb të tij kishte diktaturën, varfërinë,shfrytëzimin dhe skllavërimin e ëndrrave të shqiptarëve të cilët i kishin aspiruar dhe inspiruar veten e tyre me mijëra vjet për të mbajtur një vend të jashtëzakonshëm siç është Shqipëria, një vend kaq të bukur që e ka bekuar Zoti. Dhe sot mbas 28 viteve në të cilin ne aspirojmë të jemi në demokraci por për hir të së vërtetës nuk jemi në atë demokraci që ne aspironim gjithë brezi i asaj rinie që u ngrit për të pasur një demokraci të vërtetë. Jemi në një demokraci të pakonsoliduar dhe jemi në një demokraci që çdo ditë e më shumë po rrezikohet. Fantazmat e të kaluarës e diktaturës shfaqen në formën e bandave të trafikut të drogës dhe të krimit të organizuar. Nëse para 28 viteve rinia shqiptare përballej me sigurimin e shtetit të cilët ushtronin dhunën dhe presionin përplasnin shqiptarët burgjeve të komunizmit për fjalën e lirë që thonin. Sot ne përballemi me diktaturën e drogës dhe diktaturën e krimit kjo diktature qe cdo dite e me shume po nxitet nga narkoshteti. Siç e keni pare edhe ne rrjetet sociale, video apo raportin e Kombeve te Bashkuara që shqiptaret i llogarit popullin e parë në botë për përdorimin e kokaines, plot 2. 5 e saj.

Jam e sigurt që ky raport nuk ka të bëjë as me prindërit, as me gjyshërit e as me moshat mbi 50 vjeç, por me rininë shqiptare. Njerëzit çdo ditë po humbasin jo vetëm shpresën, por po humbasin e frymën e të jetuarit në një vend normal dhe po gjejnë një mundësi tjetër për t’ u larguar nga Shqipëria se bashku me fëmijët e tyre.

Njerëzit aspirojnë për të qenë në vendin e tyre me integritet dhe dinjitet, por mbi të gjitha jetojnë për të ndërtuar të ardhmen e tyre dhe të familjes se tyre. Ajo që është shumë e rëndësishme është se LRI nuk është vetëm për të krijuar disa grupe që duan të trajnohen, nuk është për të dhënë disa mundësi, por është ai mision, i cili që në fillimet e tij e ka pasur qëllimin shumë të qartë.

Është misioni për të rikthyer shpresën, vlerat, integritetin dhe dinjitetin e të gjithë shqiptarëve në Shqipërinë që për hir të së vërtetës na duhet shumë. Dje kur flisja me Endritin dhe Floiden ishin shume të kënaqur me grupet e punës së LRI-së, sepse të mbledhësh të rinjtë sot në Shqipëri është shume e vështirë. Çdo ditë e më shumë numri i tyre po pakësohet.

Jo vetëm që po largohen për ëe mos u kthyer më, por edhe familjet e reja nuk po lindin më fëmijë, gjë që do të thotë jo vetëm një shpërngulje të brezit të ri, por çdo ditë dhe më shumë vjen edhe një plakje e popullsisë shqiptare gjë që do të thotë për Shqipërinë dhe për ne shqiptarët eliminim i ngadaltë pak nga pak. Prandaj dhe ky organizim i sivjetshëm i cili në thelb ka brenda vetes së tij jo vetëm solidaritetin, jo vetëm angazhimin, jo vetëm bashkëpunimin që ju të gjithë e keni menaxhuar dhe keni funksionuar në këtë kamp, jo vetëm dhe festimin e 10 vjetorit të kampit social që organizon LSI, por ka arritur një mision shumë të rëndësishëm. Dua të falenderoj të gjithë djemtë dhe vajzat, po i marr pak nga pak, po marr Blertin, Ermelindën, Klean, Arjeten, Ergin, Anën, Tean. Pafund të gjithë sepse ndoshta nuk i përmend dot, por pasioni i tyre mbi të gjitha është motivim për ne. Pse e themi këtë? E themi sepse shtatori do të jetë një muaj i cili do të sjelli ngjarje politike shqiptare. Do të sjelli ngjarje për shkak të kësaj situate jashtëzakonisht të keqe. Nuk po them të poshtër sepse është akoma edhe më e poshtër seç mund të thotë fjalori shqiptar. Një qeveri e cila ndjen kënaqësi kur varfëron njerëzit e saj, një qeveri që ndjen kënaqësi kur terrorizon bizneset e vendit të saj, një qeveri që ndjen kënaqësi kur mashtron popullin e saj. Besoj se ju të gjithë keni dëgjuar trumpetat për rikthimin e madh që na bëri qeveria për librat e fillores që do të ishin falas. Dhe qeveria para një jave vendosi që librat e 8 vjeçares të kishin dyfishin e çmimit. Pra ai që është në klasë të pestë të paguajë edhe librin e atij të klasës së parë. Pra një qeveri që mashtron dhe mashtron me kënaqësinë më të madhe dhe përveç se kënaqësisë ndjehet edhe krenare që poshtëron qytetarët e saj. Por mbi të gjitha poshtëron fëmijët e shqiptarëve, që për hir të së vërtetës ne shqiptarët e kemi problem kush na i prek fëmijët dhe kush na i poshtëron ata. Një qeveri që poshtëron, fyen dhe cënon të ardhmen e një vendi dhe aq më shumë të vendit të saj është një qeveri që nuk meriton grushtim por meriton përçmimin, meriton edhe veprimin më të fundit që mund të bëhet për të poshtëruar një institucion i cili çdo ditë dhe më shumë masakron, shtyp, shfrytëzon dhe shpërfill popullin e tij. Ju sot do të bëni një bilanc të gjithë punës tuaj. Sot e ndjeni që keni njohur shokë, keni njohur shoqe, keni kuptuar mbi bisedat për ekonominë, keni diskutuar për sigurinë kombëtare, keni diskutuar për kufijtë e Kosovës. Keni diskutuar për probleme nga më të ndryshmet, keni diskutuar për situatën në rajon. Keni diskutuar për fqinjësinë e mirë. Por ajo çka është më e rëndësishme keni fituar forcën dhe ajo çka është më e rëndësishme kuptimin e forcës së bashkimit dhe solidaritetit. Një pjesë e juaja kanë qenë më aktivët në protestat e fundit që ne kemi zhvilluar. Biles mund të themi që disa nga ju kanë qenë edhe viktima të dhunës së policisë. Mbaj mend vajzën, Megin, që ditën e parë kishte pasur frikë në protestë por ditën që polici e kishte goditur ajo ditën tjetër kishte dalë duke protestuar më fort se ditën e parë. Pse?Sepse kur institucioni i shtetit ngre dorën mbi fëmijët dhe shqiptarëve ai nuk është shteti ynë. Nuk është vendi ynë. Nuk është përfaqësuesi ynë. Pse?Sepse kur institucioni i shtetit ngrenë dorën mbi fëmijët e shqiptareve, ai nuk është shteti ynë, nuk është përfaqësuesi ynë. Ai mund të jetë vetëm armiku i shqiptarëve. Prandaj ne do ti përgjigjemi me të njëjtën monedhe, jo me dhunën dhe shkopin e gomës, por me fjalën dhe veprimin, forcën dhe zemrën tone, atë të të riut shqiptar.

Ky regjim, i cili kërkon të instalohet në Shqipëri, nëpërmjet dhunës, blerjes dhe presionit, ka vetëm një mundësi dhe kjo mundësi është e jona.

Sepse në këto 100 vjet pas përmbysjes se diktaturës, ju do të hyni në histori për përmbysjen e diktaturës së drogës dhe përmbysja e saj do të vijë nga forca e zemrës tuaj, sepse njerëzit që do t’ju ndjekin nga pas nuk do të jenë shokët tuaj, por prindërit tuaj sepse ata e ndjejnë më shumë dhimbjen e largimit të fëmijëve te tyre nga vendi duke ecur drejt Europës pa e kthyer kokën mbrapa dhe kjo është dhimbja më e madhe. Dhimbja në zemër e prindit për fëmijën e tij është dhimbja më e madhe që shkakton vdekjen e një kombi dhe që shkakton vdekjen e shpresës së ardhmes së rinisë shqiptare. Prandaj ne vetëm me vendosmërinë tuaj e cila e tregoi me pjesëmarrjen tuaj në këtë kamp, se te gjithë njerëzit skeptikë që janë gjatë këtij kampi, edhe ata që e dinë shumë mirë se çdo të thotë, që mundohen ta përbaltin kampin tuaj, që nuk janë gjë tjetër vetëm disa mediokër që nuk kanë arritur asgjë në jetën e tyre, por thjesht kanë qenë shërbëtorët një grupi, mendoj që në vetvete është thjesht dicka sfilitëse apo argëtuese. Jo pa qëllim ju të gjitha veprimet dhe aktivitetin tuaj qoftë në pastrim, qoftë në gatim, qoftë në organizim, qoftë në të gjithë ritualin e jetës së kampit është e rëndësishme jo sepse ne nuk i bëjmë dot. Jo sepse organizatorët apo ndërtuesit e kampit nuk mund të merrnin njerëz të cilët nuk i paguanin. Por puna në grup konsolidon forcën, besimin por mbi të gjitha ajo cka është më e rëndësishme, është që ju jep ju vetëbesimin brenda vetes suaj. Që kur ju bëni një kamp të tillë, kur ju jetoni në këto kushte, kur ju punoni të gjithë bashkë çdo gjë tjetër është shumë e vogël. Për të mos ta zgjatur unë do të doja që tu jepja vetëm dy porosi të vogla. Mësoni sepse po nuk mësuat nuk do të arrini dot asgjë në jetë dhe fiksoni një gjë në mëndje. Pyetini dhe prindërit tuaj që kanë jetuar në sistemin atëherë por dhe këta që jetojnë në sistemin sot. Mos mendoni se paraja dhe pushteti janë gjithçka. Janë mjete të cilët mundohen të kënaqin njerëz që nuk janë të lumtur në shpirt. Paratë dhe pushtetin mund ta marrë kush të dojë. Vetëm një gjë nuk mund tu marrë dot, dijen dhe diplomën e shkollës. Prandaj mësoni fort sepse vetëm kështu dhe duke qenë pjesë e pandarë e librit do tu rrisi dëshirat, ëndrrat por mbi të gjitha do tu udhëzojë në rrugën për të realizuar të gjitha ëndrrat tuaja të cilat të jenë të bindura që vetëm në Shqipëri mund ti realizoni. Mos e shikoni Shqipërinë si një katund të prapambetur që për hir së vërtetës kjo qeverisje kështu e ka çuar. Shikojeni Shqipërinë si një diamant të vogël në mesin e botës që e duan të gjithë por nuk e ka asnjëri”.