Tërmeti në Dibër, banorët kritikë ndaj pushtetit qendror: Askush nuk ka ardhur!

12 ditë pas tërmetit në veri të vendit, familjet e prekura në fshatrat Vinjoll, Dukagjin, Gjalish, Frankth, Rake, Lac, Bruc e Derjan kanë nevojë për ndihmë.

Banorët janë shprehur kritikë me përfaqësues të pushtetit qendror që sipas tyre duhej të kishin shkuar në zonë për të parë nga afer situatën e rëndë.

“Asnjë nuk ka ardhur, vetëm këta të komunës erdhën dhe bënë një verifikim sipërfaqësor”, tha një banor.

Pas kërkesës së bashkisë Mat, janë shpërndarë për banorët 100 krevatë, 90 batanije, 15 cadra dhe 30 pako ushqimore.

Deputetet e Partisë Demokratike në qarkun Diber te shoqeruar nga kryetari i PD në Mat, Alfred Ahmetcenaj, morën pjesë në takimin që kryebashkiaku i zonës Nezir Rizvani zhvilloi me drejtuesit lokalë mbi monitorimin e situatës së krijuar nga termeti i 11 gushtit.

Deputeti Xhemal Gjunkshi tha se fakti se 309 banesa janë dëmtuar është tregues se gjendja është shumë e rëndë

Gjunkshi: Sic shikohet gjendja është e rëndë, jemi në një situatë gatishmërie. Ne terreni kemi edhe komisionet e vlerësimit, por unë do të kërkoja që edhe pushteti qendror të japë ndihmën e nevojshme.

Ndërkohë dy tërmete të tjera janë regjistruar të enjten në vend. I pari me epiqëndër në Tiranë me magnitutë 2 dhe i dyti rreth orës 02:38 minuta të mëngjesit me epiqëndër në Vlorë dhe magnitutë 2.7.

/Ora News