Klopp: Në fillim të gjithë dyshuan për Shaqirin, por ai është një lojtar fantastik!

Transferimi i Xherdan Shaqirit nga Stoke City tek Liverpool këtë verë ishte surprizuese, pasi kosovari  ishte blerja më e lirë e ekipit të drejtuar nga Jurgen Klopp. Siç duket ka qenë vetë tekniku gjerman ai që e ka dashur Shaqirin në skuadër dhe pavarësisht kritikave të shumta, edhe nga legjenda Gary Neville, ai vazhdon ta mbrojë Shaqirin dhe të mos e fshehë simpatinë për të.

Në daljen e fundit për shtyp ai ka marrë si shembull Shaqirin për t’i provuar gazetarëve se në futbollin anglez nënvlerësohen lojtarët që blihen lirë dhe të gjithë duan shpenzime të çmendura.

“Nuk mendoj se kultura gjermane e futbollit do të toleronte transferimet prej 150 milionë eurosh. Ata nuk duan asgjë më shumë se një transferim të lirë. Pamja në Angli është ndryshe. Nëse një lojtar nuk kushton shtrenjtë, ekziston dyshimi se ai mund të jetë i padobishëm. Për shembull, kishte shumë pyetje (në Angli) për interesin tonë për Xherdan Shaqirin”, tha ai për SPORT1.

Në vijim Klopp theksoi se pavarësisht vlerës së ulët në merkato, Shaqiri është një futbollist i talentuar dhe mund të bëjë mirë për ekipin.

“Ne kemi paguar 13 milionë paund për atë pasi ai u zhvendos nga Stoke. Por ai është një lojtar fantastik dhe tani të gjithë në klub e duan atë. Në krahasim me Gjermaninë, është me të vërtetë ndryshe. Më kujtohet pak vite më parë, tema e të gjithëve në Gjermani ishte shuma e parave, rreth 100 milionë euro, që Bayern Munchen thuhej të kishte në rezervë. Këto ditë ju nuk do të merrni edhe një gjysmë Neymar për këtë vlerë”, theksoi Klopp.