Keita Balde flet si zikaltër: Interi zgjedhje e thjeshtë, më pëlqente që fëmijë

Dy sezone më parë refuzoi Interin dhe Juven për t’u transferuar te Monaco për një pagë më të mirë, por tashmë ai është penduar. Po flasim për blerjen e fundit të zikaltërve, Keita Balde.

“Kur të vjen një ofertë nga një klub i madh si Interi është e lehtë të marrësh një vendim. Falënderoj klubin që bëri një sforcim të madh ekonomik për të më sjellë këtu. Spalletti është një trajner me shumë eksperiencë, me të mund të përmirësohemi shumë. Jam gati të sakrifikohem edhe në mbrojtje, kam ardhur për të qenë protagonist. Mund të luaj në të gjitha pozicionet, por do të vendosë trajneri se ku. E rëndësishme edhe të luaj”, deklaroi sulmuesi.

Zikaltrit e nisën kampionatin me një humbje ndaj Sassuolos, por Balde beson se ekipi i tij do të marrë rezultate pozitive.

“Mendoj vetëm për Interin, në fund do ta shohim se deri ku do të arrijmë. Nuk duhet të demoralizohemi vetëm se kemi humbur një ndeshje. Kam patur mundësi edhe në të shkuarën që t’i bashkohesha Interit. Rreth tre vite më parë kam patur kontakte, por vetëm këtë vit u bë e mundur që të vija këtu. Edhe kur isha i vogël më pëlqente shumë Interi”, deklaroi Balde gjatë prezantimit.