Ethet e Nilit Perëndimor, Vasili: Informimi i opinionit është i varfër

Nga Petrit Vasili

Ministria e Shëndetësisë, na dëgjoi për Ethet e Nilit Perëndimor, le ta bëjë edhe për Fruthin. Pata tërhequr fort vëmendjen e Ministrisë së Shëndetësisë për mosinformimin e opinionit publik për Ethet e Nilit Perëndimor, si emergjencë e shëndetit publik që është prezente prej muajsh në Ballkan dhe Europë.

Pas një reagimi nervoz, politik dhe jo profesional e të pajustifikuar, më në fund Ministria reagoi dhe ka publikuar këshillat e domosdoshme për opinionin, ndonëse me shumë vonesë gjithësesi është i mirëpritur reagimi i saj. Ndërkohë epidemia e Fruthit, vazhdon të jetë një problematikë e hapur dhe këshillimi e informimi i opinionit publik dhe medias është i varfër.

Zsuzsanna Jakab, Drejtore e OBSH Europën deklaron: “Jemi përpara një rritje dramatike të infeksioneve dhe zgjatjes së epidemisë fruthit në shumë shtete. Duhen marrë masa të menjëhershme për të penguar përhapjen e tij”.

Për këtë arsye OBSH do të mblidhet në 17-20 shtator në Romë për këtë emergjencë. Ndaj Ministria e Shëndetësisë, duhet të intensifikojë punën dhe informimin për Fruthin që kjo emergjencë të kalohet sa më qetë dhe pa pasoja. Kur është fjala për epidemi dhe për probleme të shëndetit publik është më mirë për Ministrinë e Shëndetësisë, që të dëgjojë sa më shumë në vend që të reagojë vend e pa vend dhe pa argumente.

Si profesionist unë do të vazhdoj të jap mendimet e mija bazuar në kritere profesionale pasi kur bëhet fjala për epidemi dhe emergjenca shëndetësore, fjalën e ka profesioni dhe jo politika, kush bën të kundërtën bëhet i personalisht i padobishem dhe publikisht i dëmshëm.