Dhuna në familje, ligji i ri shpresë për ndryshim

Policia e Shtetit çdo ditë merr telefonata për dhunën në familje, fqinjë që kallëzojnë për breshërinë e plumbave dhe femra që në shumicën e rasteve heshtin ndaj dhunës. Por pse dhunohet femra në Shqipëri? Profesoresha Arjana Muçaj, thotë se duke nisur që nga shkaqet ekonomike e duke vazhduar me shëndetin mendor kur hasim në vështirësi, janë disa nga shkaqet që krijojnë dhunë në familje.

“Depersonalizimi sjell dhunën në familje. Ka edhe nga ata që mendojnë se të rrahin për të mirën tënde”, shpjegon Muçaj. “Mos hesht. Dhuna është krim”. Ky është apeli sensibilizues i vendosur në Policinë e Shtetit për çdo femër apo edhe mashkull që dhunohet në familje.

Nga muret e shtëpisë deri te përgjakja e rrugëve, dhuna në familje është kthyer në një shqetësim në rritje që ka shtyrë Qeverinë të ndërhyjë me një projektligj, i cili tashmë është miratuar. Risitë janë të ndryshme por ajo që bie në sy është se ligji shkon përtej institucionit të martesës dhe parashikon si rastet e bashkëjetesës, ashtu edhe ato të marrëdhënieve apo lidhjes afektive në çift.

Thënë ndryshe, një vajzë mund të gjejë mbrojtje edhe nëse personi që e dhunon ka thjeshtë statusin e të dashurit. Një tjetër risi është se shtohet edhe Urdhri Paraprak i Mbrojtjes së Menjëhershme. Sipas hartuesve të draftit, është vënë re se 24 apo 48 orët e para nga momenti kur një grua paraqitej në polici për të kërkuar mbrojtjen e shtetit e deri te lëshimi nga gjykata i këtij urdhri, ishte harku kohor brenda të cilit regjistroheshin edhe ngjarjet më të rënda.

Ligj thotë se një grua përfiton menjëherë nga Urdhri Paraprak i Mbrojtjes, duke nisur nga momenti që e kërkon atë pranë autoriteteve të rendit, deri kur gjykata do ta konfirmojë atë apo jo. Një tjetër risi ka të bëjë me të miturit. Për herë të parë, me urdhrin e mbrojtjes për nënën automatikisht do të garantohet urdhri i mbrojtjes për fëmijët, edhe nëse mbi ta nuk është ushtruar dhunë e drejtpërdrejtë. Një tjetër fenomen që ka prekur shoqërinë shqiptare, janë vrasjet e ish-të dashurave apo të vajzave që nuk pranojnë të krijojnë lidhje.

Vrasja e Ariela Muratit dhe e Xhuljeta Çunit, të cilësua si krim pasioni, rreziku sipas psikologëve qëndron te fakti që fenomene si këto të kthehen në modele. “Dashuria nuk është pronë, as nuk shitet, as nuk blihet dhe nuk e merr dot me zorr. Të rinjtë duhet të jenë shumë të kujdesshëm, periudha e adoleshencës është shumë e vështirë, ka të papriturat e veta por një mbështetje e fortë prindërore duhet për të gjetur rrugën e drejtë, për të mos gabuar aq rëndë sa rasti në fjalë”, deklaron Muça.

Për të mos u vrarë një tjetër Arielë dhe Xhuljetë, të rinjtë duhet të jenë më të përgjegjshëm në veprimet e tyre dhe për ktëtë psikologët këmbëngulin te edukimi i brezave që në vegjëli dhe te përzgjedhja e shoqërisë, faktorë që më vonë mund të kthehen në kërcënim për individin.