“Buzëqesh” Spalleti, Nainggolan është gati për sfidën me Torinon

Trajneri i Interit, Lucciano Spalleti më në fund merr lajme të mira nga infermieria. Radja Nainggolan mund të quhet tashmë i rikuperuar dhe një alternativë më shumë, duke filluar që nga ndeshja e të dielës në mbrëmje, në “San Siro” ndaj Torinos. Nainggolan mungoi në ndeshjen debutuese ndaj Sassuolos, ku Interi doli nga “Mapei Stadium” me një humbje minimale 1-0.

Belgu dje kreu stërvitjen e parë me grupin e lojtarëve dhe sot gjithashtu tregoi se ka lënë pas dëmtimin. Përveçse u stërvit me grupin, belgu mori pjesë sot edhe në mini-ndeshjen e zhvilluar brenda ekipit, duke treguar një gjendje të mirë fizike.

Gjithsesi pritshmëritë janë që Nainggolan të grumbullohet për sfidën me Torinon dhe ta nisë nga stoli, për t’u përdorur në ndeshje e sipër, nëse do të jetë e nevojshme, pasi Spalletti nuk ka ndërmend të rrezikojë aspak.