Vasili: Pse kryeministri Rama nuk flet më për 40 bandat kriminale?

Kreu i deputetëve të LSI, Petrit Vasili ka reaguar për situatën e krimit në vend. Vasili i drejton një pyetje publike kryeministrit Edi Rama duke i kujtuar deklaratat e tij për 40 bandat kriminale në Shqipëri.

Duke folur për situatën e rendit në vend, Vasili përmend edhe disa ngjarje që kanë ndodhur pak kilometra larg zonës ku kalonte pushtimet Edi Rama, në vilën qeveritare.

“Aq rehat janë banditët dhe hajdutëria sa kur pushon ky vetë në Jal 15 vjedhje ndodhin në fshatin Vuno, 10 min larg nga Jali. Kaq vjedhje s’kanë ndodhur as në 600 vjet të ekzistencës së fshatit. Bandat me këtë kryeministër mund të bëhen edhe 140, se ai i do ato, ka lidhur jetën me to”,- shprehet Petrit Vasili.

Deklarata e plotë e Petrit Vasilit:

“40 bandat kriminale ku janë dhe Kryeministri pse trembet të flasë. U deklaruan muaj më parë nga Kryeministri dhe ministri që 40 grupe të strukturuara kriminale veprojnë në Shqipëri.

Kryeministri, që na lajmëron për çdo qoshe rrugësh, për lyerje muresh, për palma rruge e për qindra dokrra pa asnjë fare vlerë çfarë halli të madh ka që as flet, as informon, as deklaron, as facebukon apo twiteron për bandat kriminale dhe luftën ndaj tyre.

Është e qartë i do bandat, i dhëmb për bandat, i duhen bandat dhe nuk bën dot pa bandat ndaj ka mbyllur gojën. Apo kur është me leje ai bandat janë për qejf të tyre se ka kush i mbron.

Aq rehat janë banditët dhe hajdutëria sa kur pushon ky vetë në Jal 15 vjedhje ndodhin në fshatin Vuno, 10 min larg nga Jali.

Kaq vjedhje s’kanë ndodhur as në 600 vjet të ekzistencës së fshatit. Bandat me këtë kryeministër mund të bëhen edhe 140, se ai i do ato, ka lidhur jetën me to”.