Skandali me vajin e ullirit, Panariti: Prodhues apo institucione “fake”

Deputeti i LSI-së Edmond Panariti, përmes një postimi në facebook, shkruan se zbulimi i vajit të ullirit të falsifikuar në treg përbën një megaskandal kombëtar. Ish-ministri i Bujqësisë, përgëzon median që denoncoi skandalin, që sipas tij duhet të bëjë AKU-ja. ”Të dhënat e zbulimit të falsifikimit, vijnë nga Instituti i Sigurisë dhe i Veterinarisë, i cili është në varësinë e AKU-së. Por pavarësisht se Instituti i saj bën publike në media skandalin ushqimor, AKU hesht dhe nuk bllokon prodhuesit, shpërndarësit dhe tregëtuesit e këtij prodhimi fals, duke vënë në rrezik me mijëra konsumatore në të gjithë Shqipërinë”,-shkruan Panariti.

Postimi i plotë

Prodhues apo institucione “fake”. Kjo është çështja!

Zbulimi i vajit të ullirit të falsifikuar në treg përbën një megaskandal kombëtar. Është një produkt të cilin e përdorim të gjithë! Këtu nuk është fjala thjesht për falsifikimin por mbi të gjitha për natyrën dhe llojin e tij. E cila mund të jetë kriminale, pasi agjentet falsifikues, të cilët mund të jenë ngjyrues, aromatizues, vaj sintetik industrial etj.

Mund të jenë kancerogjene, teratogjene, mutagjene. Dhe lista e pasojave me prapashtesen.. “gjënë” mund të jetë e gjatë. Pasojat mbi shëndetin mund të jenë kronike, afatgjata dhe të transmetueshme në breza! Kjo nuk mund të kalohet si një “lajm vere”..!! Duhet ti jemi mirënjohës medias, e cila zëvëndëson në këtë rast rolin dhe funksionin e AKU-së dhe arrin ta zbulojë këtë skandal.

Të dhënat e zbulimit të falsifikimit, vijnë nga Instituti i Sigurisë dhe i Veterinarisë, i cili është në varësinë e AKU-së. Por pavarësisht se Instituti i saj bën publike në media skandalin ushqimor, AKU hesht dhe nuk bllokon prodhuesit, shpërndarësit dhe tregëtuesit e këtij prodhimi fals, duke vënë në rrezik me mijëra konsumatore në të gjithë Shqipërinë!

Dikush duhet të përgjigjet! Dy janë mundësitë! O mashtron prodhuesi dhe në këtë rast emri i tij dhe i markës duhet të bëhet publik. Prodhimet e falsifikuara, të tërhiqen urgjentisht nga magazinat dhe tregu dhe të nisë procedimi penal, ose analizat nuk janë të vërteta dhe zyrtare. Edhe në këtë rast do të kishim të bënim me falsifikim të rezultateve në dëm të prodhuesve dhe të prodhimit.

Përsëri objekt hetimi penal!! Këtë duhet të na sqarojë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe sa më parë!