OSHEE, tender 3 mln dollarë mikut të Ballës

Edmond Bego

Edmond Bego, biznesmeni i dënuar me 21 vite burg nga Gjykata Italiane e Kasacionit, i njohur si mik i Taulant Ballës, ka përfituar shifra marramendëse nga tenderat publikë në Shqipëri.

SYRI.net publikon dokumentet zyrtarë që faktojnë se vetëm 1 muaj para se të arrestohej nga autoritetet greke, Bego ka fituar përmes kompanisë së tij Inerte Expres një tender me vlerë 299.1 milionë lekë ose afro 3 milionë dollarë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Më saktësisht tenderi është zhvilluar në datën 4 qershor të këtij viti dhe kontrata është lidhur në 4 korrik.

Objekti i tij ka qenë rikonstruksioni i kabinave muratore dhe shtrirja e 5 fiderave në rrugën “Sulejman Delvina” në kryeqytet. Sipas dokumenteve, fondi limit i tenderit ka qenë 299.3 milionë lekë dhe kompania Inerte Expres e ka fituar atë me vlerën 299.1 milionë lekë, pra gati sa 100 për qind e fondit limit. Më parë Partia Demokratike pati publikuar dokumente për një tjetër tender me vlerë 100 milionë lekë që kompania Inerte Expres e Begos ka marrë nga Operatori i Transmetimit po gjatë muajve të fundit.

Pra në total vetëm gjatë kësaj verë biznesmeni Mondi Bego ka marrë përmes kompansë Inerte Expres 400 milionë lekë ose rreth 4 milionë dollarë tendera publikë, ndërkohë që vetëm 1 muaj më vonë do të arrestohej nga autoritetet greke.

Arrestimi i Bego-s bëri bujë të madhe në Shqipëri për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me kryetarin e grupit Parlamentar të Partisë Socialiste,

Një ditë më parë pas publikimit të fakteve nga media Balla u detyrua të pranonte lidhjen e tij me Begon duke deklaruar se e ka mik familjar, por shtoi se nuk e ka mbrojtur asnjëherë politikisht dhe as ka ndikuar që ai të favorizohej.