Lidhjet e PS me bandat, pse nuk flet Prokuroria?

-Gjykatësin e gjykatës së lartë Tom Ndreca, Vettingu e përjashtoi vetëm se ka takuar nipin e tij që është ndaluar nga policia me 0.4 gram hashash, kurse politikanët hanë dreka e darka, bëjnë pazare me krimin dhe nuk dënohen.

-Taulant Balla është numri dy në PS, miku më i ngushtë për momentin i kryeministrit, kandidat për post të rëndësishëm në Ekzekutiv. Është akuzuar rëndë nga selia blu, sikurse edhe vetë pranon se ka miqësi të ngushtë me të akuzuarin si “bandë e Lushnjës” e Aldo Bares. Ndaj duhet vetë të kërkojë nga prokuroria hetim që të çlirojë PS-në nga ankthi i lidhjeve me botën e krimit.

Prej një jave Partia Demokratike ka akuzuar dy zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste për lidhje me krimin. Fillimisht u denoncua nga PD-ja deputeti i Durrësit, Jurgis Çyrbja, i cili sipas opozitës gjatë kohës që ka qenë drejtor hipoteke në Durrës ka ndihmuar, Emiljano Shullazi, një emër i njohur për drejtësinë, në kalimin e disa pronave në Durrës. Ndërsa ditët e fundit, opozita ka denoncuar numri dy të PS, Sekretarin e Përgjithshëm dhe kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla për lidhje me një ish-anëtar të bandës famëkeqe të Lushnjës. Sigurisht, që në akuzat e PD ka dhe qëndrim politik, askush nuk mund të thotë se ato që deklarohen nga selia blu janë të vërteta të padiskutueshme. Por jemi në fazën kur PD e ka bërë sfidën e saj publike dhe lidhja me elementë të botës së krimit është akuza më e rëndë që mund t’i bëhet një politikani në çdo shtet normal. Akuzat bëhen edhe serioze për faktin se kemi të bëjmë me dy ligjvënës dhe njerëz që kanë ndikim në vendimmarrje dhe qeverisje. Taulant Balla është numri dy në PS, miku më i ngushtë për momentin i kryeministrit, kandidat për post të rëndësishëm në Ekzekutiv. Është akuzuar rëndë nga selia blu, sikurse edhe vetë pranon se ka miqësi të ngushtë me të akuzuarin si “bandë e Lushnjës” e Aldo Bares. Ndaj duhet vetë të kërkojë nga prokuroria hetim që të çlirojë PS-në nga ankthi i lidhjeve me botën e krimit.

Të dy politikanët, Taulant Balla dhe Jurgis Çyrbja, kanë pranuar kontaktet private që kanë pasur me personat që i akuzon PD, por shtojnë se në veprimtarinë e tyre shtetërore nuk kanë kryer asnjë shkelje ligjore. Taulant Balla bëri dje një gjest për t’u përshëndetur duke pranuar para mediave se me Edmond Begon, personin e arrestuar në Greqi për llogari të drejtësisë italiane që e ka dënuar me 21 vjet burg për trafik droge, ka njohje dhe miqësi familjare. Balla theksoi se gjatë dënimit që i është dhënë në Itali miku të tij është kryer në burgjet shqiptare, pasi është konvertuar nga gjykatat tona. Balla la të kuptohet se pas vuajtjes së dënimit, Bego është qytetar i lirë si gjithë të tjerët dhe shoqëria e tij me të nuk ka arsye përse të përdoret politikisht. Gjithashtu, Balla theksoi se nuk i ka ofruar mikut të tij asnjë mbështetje politike. Por kjo zor se besohet në Shqipëri, thotë opozita. Ndërsa deputeti tjetër Jurgys Çyrbja e ka pranuar në gjykatë se ka pasur kontakte me njerëz të afër të Emiljano Shullazit, person që është në proces gjykimi për disa vepra penale. Çyrbja ka mohuar se ka shkelur ligjin gjatë kohës që ka qenë në krye të zyrës së hipotekës në Durrës.

Ashtu si akuzat e PD, edhe qëndrimet e deputetëve të PS nuk mund të injorohen, por as mund të besohen plotësisht. Këto ditë opinioni është lënë i lirë të zgjedh që të besojë akuzat e PD, apo justifikimin e deputetëve të Partisë Socialiste. Por problemi është se akuzat e PD janë për lidhje me elementë kriminalë dhe emra të disa nga organizatat më të rrezikshme kriminale të viteve të fundit në vend. Më shumë se akuzat dhe bindjet politike, denoncimet e fundit kanë nevojë për reagim urgjent të institucioneve të drejtësisë. Policia e Shtetit dha një njoftim dy ditë më parë ku theksonte se ndaj Edmond Begos, mikut të Taulant Ballës nuk ka pasur urdhër arresti nga Italia, por pranonte se ishte i dënuar për trafik droge në Itali. Ndërkohë Prokuroria vazhdon të jetë më “pushime” verore dhe nuk ka asnjë sqarim për masat që ka marrë pas daljes në publik të këtyre fakteve. Nëse Edmond Bego konfirmohet se është dënuar në Itali për trafik droge, sipas ligjeve shqiptare ndaj tij duhet të kishte kryer dhe sekuestrimi i pasurive që janë venë në mënyrë të jashtëligjshme. Jo vetëm që një masë e tillë nuk është marrë, por siç thotë PD, gjatë viteve të fundit ai ka arritur jetë një biznesmen dominues në fushën e ndërtimeve në vend duke nënkuptuar dhe ndihmën që mund t’i jetë dhënë nga PS. Aludimi mbetet se është Taulant Balla pas tij. Para se akuzat e PD të vijojnë edhe me çështje të tjera është koha që prokuroria të sqarojë nëse personi në fjalë është ndihmuar nga mazhoranca për aktivitetin e tij si biznesmen gjatë viteve të fundit? Kjo është dhe akuza që mund t’i bëhet Tulant Ballës lidhur me këtë histori. Sepse fakti që është shoqëruar me një të dënuar në Itali, hap diskutime nga ana morale, por jo ligjore përderisa Edmond Bego e ka kryer dënimin sipas ligjeve shqiptare. E njëjta gjë vlen dhe për deputetin tjetër të Shijakut, Jurgis Çyrbja. Duhet vetë, të dy deputetët e PS-së, ti kërkojnë prokurorisë ti hetojë, nëse e mendojnë se janë të pastër, dhe më pas rrëzojnë akuzat e PD-së.

Gjykatësin e gjykatës së lartë Tom Ndreca, Vettingu e përjashtoi vetëm se ka takuar nipin e tij që është ndaluar nga policia me 0.4 gram hashash, kurse politikanët hanë dreka e darka, bëjnë pazare me krimin dhe nuk dënohen.

Janë një sërë pyetjesh nëse ka apo jo implikim të ligjvënësve, përgjigjen e të cilave nuk mund ta jap PD dhe as vetë deputetët.  Qytetarët e presin përgjigjen nga prokuroria dhe institucionet që kanë detyrë të hetojnë dhe të informojnë publikun.

Qamil Xhani