Ku u zhdukën 40 bandat kriminale?

Nga Qamil Xhani.

Një vit më parë Qeveria dhe Ministria e Brendshme cilësonin si sukses hartimin e një raporti që faktonte se në territorin e Shqipërisë vepronin 40 banda të rrezikshme kriminale. Raporti i hartuar nga ekspertë të Policisë së Shtetit dhe sigurisë, veç aktivitetit kriminal dhe identifikimit të anëtarëve të bandave, llogariste dhe fuqinë e tyre ekonomike. Për goditjen e këtyre grupeve kriminale u kërkua asistenca e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe policive të vendeve partnere. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj shpallën dhe operacionin “Forca e Ligjit”, i cili do të sulmonte të gjitha këto banda duke i dhënë goditje vdekjeprurëse krimit të organizuar në vend. Pjesë e këtij operacioni ishte dhe sekuestrimi i pasurive që këto grupe kriminale kanë vënë përgjatë viteve.

Një vit më pas nga fjalori i kryeministrit dhe qeverisë është hequr fare shifra ’40 banda’ dhe grupe mafioze. Në bilancin e Policisë së Shtetit, si pjesë e këtij aksioni janë goditur afërsisht 7 grupe kriminale. Ndërkohë që për 33 bandat e tjera nuk flitet më edhe pse ato vazhdojnë të jenë aktive po aq sa më parë. Ministri Fatmir Xhafaj në jo pak raste deklaronte se forcat e rendit kanë piketuar zonat ku veprojnë këto banda dhe shumë shpejt do t’i godasin. Policia ka vijuar aksione të suksesshme për kapjen trafikantëve të drogës dhe kriminelëve të tjerë, por pjesa e mbetur e bandave nuk përmendet më as nga Policia e Shtetit dhe as nga Qeveria. Sigurisht që pjesa e punës që ka bërë policia kundër kultivimit të drogës, pas fushatës së mbjelljes së kanabisit gjatë viteve 2013-2016 është për tu lavdëruar. Sot nuk ka dyshim që hashashi nuk mbillet dhe trafikohet si disa kohë më parë. Por kemi një fushatë të qeverisë kundër krimit të organizuar që ose është harruar ose është lënë në mes. Derisa një vit më parë deklarohej se 40 bandat do të goditeshin dhe kapot e tyre do arrestoheshin, sot duhet një shpjegim se përse kjo nuk ka ndodhur. Edi Ramës i mungojnë në apelin e burgut të paktën 33 banda dhe qeveria duhet të këtë një shpjegim se kush e pengoi operacionin që nisi Ministria e Brendshme, e drejtuar nga Fatmir Xhafaj.

Gjatë kohës që në opinion u deklarua shifra e 40 bandave edhe brenda PS pati kundërshtime që thoshin se numri është i ekzagjeruar dhe se në Shqipëri ka më pak aktivitet kriminal. Si pjesë të suksesit kundër krimit qeveria rendit si arritje sekuestrimin e disa pasurive gjatë viteve të fundit. Shifra e pronave, llogarive bankare dhe bizneseve që u janë bllokuar grupeve kriminale këto dy vite llogaritet rreth 60 milionë euro. Një shifër e tillë është mbresëlënëse kur e dëgjon për herë të parë, po jo aq e madhe nëse bën disa llogari të thjeshta për paratë që qarkullon krimi në Shqipëri. Në kokainën e kapur në Maminas disa muaj më parë, “investuesit” kishin hedhur në treg 180 milionë euro, vetëm në një rrugë trafiku. Nëse vetëm një grup trafikantësh në një kamion transporton 180 milionë euro, 60 milionë eurot e sekuestruara nga 7 banda duken si pare xhepi për krimin e organizuar shqiptar. Shifra të tilla që qarkullojnë nga krimi regojnë se në vend ka “hapësira tregu” për më shumë se 40 banda.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga kushtet që penalizoi Shqipërinë në vonesën me një vit të hapjes së negociatave. Për luftën e munguar të korrupsionit qeveria e ka gati argumentin, duke thënë se problem ka qenë gjyqësori dhe mungesa e reformës në drejtësi. Por për bandat dhe krimin ky argument nuk vlen. Nëse korrupsioni luftohet në gjykata, krimi i organizuar si fillim luftohet nga institucionet e qeverisë dhe qëndrimi i mazhorancës. Në rastin e bandave kriminale, qeveria duket se edhe vet është në shkelje të ligjit, pasi i di kush janë 33 grupet e tjera, por nuk i arreston.

Me sa duket mazhoranca nuk rri dot pa banda kriminale!