Jo vetëm rritje të grupmoshës në Shqipëri, ja çfarë po ndodh me arsimin

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin shkollor 2017-2018, morën pjesë në arsimin zyrtar 650,153 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 3,8 për qind, krahasuar me vitin shkollor 2016-2017. Gjatë kësaj periudhe rezultoi që pjesëmarrja në të gjitha nivelet arsimore është 82,8 për qind. Në arsimin parauniversitar, në vitin shkollor 2017-2018 morën pjesë 520.759 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar po ashtu një ulje prej 2,9 për qind, krahasuar me vitin shkollor 2016-2017.

Rënia e numrit të nxënësve, ndjek rënien e popullsisë së grupmoshës që i përket arsimit parauniversitar. Rritje shënon pjesëmarrja e nxënësve në arsimin e mesëm, e cila është 0,8  për qind në krahasim me një vit më parë. Dhe kjo më shumë vjen si pasojë se ata nuk munden të gjejnë një punë nëse nuk kanë një arsim të mesëm në CV-në e tyre.

Kurse në programet e arsimit të lartë vazhdojnë studimet në të gjitha pogramet e studimit për vitin akademik 2017-2018, afro 129,394 studentë, e cila shënon gjithashtu ulje me 7,3 % krahasuar me njw vit më parë.

Ndërkohë që jemi në prag të shpalljes së fituesve në universitete, sipas të dhënave të nxjerra nga Ministria e Arsimit edhe viti akademik 2018-2019 shënon një ulje të studentëve që kanë aplikuar për në universitete duke deklaruar se shumë kuota do të mbeten boshë këtë vit dhe mundësitë për të fituar do të jenë më të mëdha.

Patjetër që është një ngushëllim i madh për ata që konkurrojnë për një profil të mirë që e kërkon tregu i punës, por a është ky një ngushëllim për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj? Shkaku kryesor i uljes vjen pasi tarifat e larta në universitete janë të papërballueshme dhe shumë nga ata që munden zgjedhin të studiojnë jashtë.

Rreth 25,000 studentë  u larguan në vitin 2017-2018 duke rrëfyer se i kanë humbur shpresat në vendin e tyre pasi për ta meritokracia në Shqipëri nuk ekziston.

Akoma më shumë pritet  të largohen këtë vit. Mesa duket Shqipëria nuk do te vuajë vetëm për uljen e numrit të të rinjve por edhe për uljen e nivelit të arsimit për të cilin dikur krenohej.