I tregoi gishtin e mesit në “club” tifozit, Nainggolan thumbon sërish në rrjetet sociale

Radja Nainggolan u është kundërpërgjigjur kritikave, një ditë pas publikimit në rrjetet sociale të një video, ku shihet duke treguar gishtin e mesit një tifozi gjatë një feste në Milano. Mesfushori i Inter është kapur nga kamerat të premten në mbrëmje teksa po shijonte një mbrëmje në një diskotekë.

Tifozi i tha që të shkonte të flinte, pasi duhet të zgjohej nesër për t’u stërvitur, por reagim i belgut ishte i ashpër, duke i treguar gishtin e mesit.

Të shtunën paradite u shfaq me të njëjtën veshje si në video para stërvitjes, ndërkohë që sot ka reaguar me një një foto në Instagram me mbishkrimin: “Duke punuar fortë, të tjerat janë gjepura.” 30-vjeçari aktualisht është duke qëndruar larg fushave i dëmtuar por pritet të rikthehet në stolin zikaltër në ndeshjen e radhës ndaj Torinos.