Tia nisim nga shqyrtimi brenda vetes sonë!

Nga Arian Galdini –

Qëllim themelor i këtyre rradhëve është ngasja e domosdoshmërisë që të gjithë ne qytetarët shqiptarë të fillojmë të hulumtojmë brenda vetes sonë. Të hulumtojmë për të vërtetat e mëdha. Të fillojmë të pyesim veten, më parë se të tjerët. Të fillojmë ti përgjigjemi vetes, më parë se të tjerëve. Të mëtojmë e sfidojmë veten, më parë se të tjerët. Të gjykojmë më pare veten, e jo të tjerët. Të përsosim më parë veten, e jo tu kërkojmë llogari të tjerëve. Në fakt, e gjithë çështja është që ne qytetarët shqiptarë secili individualisht, e më pas të gjithë së bashku si komunitet të gjejmë vetëveten e të rigjejmë dinjitetin. Nga Vermoshi në Konispol, nga Prishtina në Tetovë, nga Ulqini në Malësi, është e ngutshme kthesa e madhe përkah vetëhulumtimi, vetëdijësimi, vetvendosja, lirivendosja, drejtvendosja e dinjitetvendosja. Shqiptari mbijetojs me 5 kile hekur që mbante gjithmonë me vete, me kokën e ulur dhe frikën në palcë, me luftën në deje dhe zemëratën e ankimtarinë në shpirt e gojë, me mburracakërinë në qoshe dhe burracakërinë në sheshe, me vetanakësinë dhe vetgjyqësinë, me dyshimin dhe mosbashkëveprimin, nuk përputhet dot me kohët e reja. Ky lloj shqiptari mbijetojs na bën të papërputhshëm me vetë qytetarinë, por edhe me demokracinë, lirinë dhe ekonominë e tregut. Por më e keqja është se ky lloj shqiptari na bën të papërputhshëm edhe me sfidat e reja mes kombeve e sidomos me sfidat e globalizmit. Dhe ne humbasim lider pas lideri, udhëheqësi pas udhëheqësie, parti pas partie. Humbasim kohë, humbasim para, humbasim shanse, humbasim prona, humbasim punë, humbasim drejtësinë, humbasim të drejta, humbasim Kushtetutën, humbasim ligje, humbasim zgjedhjet, humbasim konkurencën publike, humbasim objektiva, humbasim ëndrra, humbasim aspirata, humbasim institucione, humbasim energji, humbasim liri, humbasim dinjitet, humbasim toka e det, humbasim Europën, humbasim jetë shqiptarësh, humbasim shqiptarë, humbasim vetveten. Pa folur për të shkuarën e llahtarshme të diktaturës komuniste, apo për periudhat e pushtimeve, sundimeve dhe rregjimeve të huaja apo vendase, të gjata apo të shkurtra, por duke u përqendruar tek periudha e pas dhjetorit të vitit 1990, për fatin tonë të keq duket qartazi se deri më sot kemi qenë në gjendje letargjie kombëtare. Gjatë këtyre 27 – 28 viteve, liderat dhe udhëheqësitë tona të majta e të djathta, së bashku me ushtritë e tyre administrative shtetërore apo partiake, së bashku me të gjithë arsenalin e tyre mediatik të agjipropit dhe me bizneset e tyre multimilionere ia kanë dalë për mrekulli mbanë ta arrestojnë dhe gardhëzojnë shqiptarin e varfër dhe të pamësuar.