Spalletti përgatit mini-revolucion në formacion pas disfatës së parë

Pas disfatës së hidhur në “Reggio Emilia” në javën e parë të Serie A, Interi do të kërkojë të rivendosë në shina sezonin e ri, që shpreson se do t’i japë të paktën një vend në Champions League. Ndryshimet e pritshme do të aplikohen që në sfidën e së dielës, në stadiumin “San Siro”, kundër Torinos. Drejtuesit dhe trajneri po përpiqen të kuptojnë gabimet e sfidës së humbur me Sassuolon, e për të motivuar grupin në një reagim të menjëhershëm. Të paktën dy lojtarë janë të sigurt se do të luajnë nga minuta e parë, Skriniar në mbrojtje dhe kroati Perisiç në mesfushë.

Në “Mappei Stadium”, mungesa e Skriniarit në prapavijë u ndie shumë. Mbrojtësi nuk kishte munguar në asnjë përballje të kampionatit, sezonin e kaluar, me një statistikë mbresëlënëse: 38 ndeshje në po kaq mundësi. Trajneri Spalletti kërkoi të mos e rrezikonte për problemet muskulore, por tani me Torinon, sllovaku do të jetë në fushë në krah të De Vrij. Nga minuta e parë do të zbresë edhe Perisiç.

Me hyrjen e mesfushorit kroat në formacion dhe tërheqjen e Asamoah në rolin e anësorit, Interi kishte ndryshuar diçka në javën e parë. Interi do të mbështetet dhe te blerja e re, kroati tjetër Vrsaljko. Dyshimi më i madh për të dielën në mbrëmje është prania e Nainggolanit, që mungon prej turneve të verës, për shkak të një tërheqje muskulore.