Shkëlqeu në debutim, Gjimshiti: Mund të jetë viti i duhur për të bërë hapin e madh!

Berat Gjimshiti e ka nisur në mënyrën më të mirë sezonin e ri, duke luajtur titullar në ndeshjen ndaj Frosinones, e cila u fitua pastër 4-0. Qendërmbrojtësi i kombëtares sonë luajti nga minuta e parë, për shkak të dëmtimit të pësuar nga titullari Palomino.

Paraqitja e 25-vjeçarit ishte mjaft e mirë, duke u vlerësuar me nota të larta në mediat italiane, që kanë lavdëruar forcën e tij fizike dhe ambientimin e lehtë në mbrojtjen bergamaske, .

“Tek Atalanta ka mbrojtës që prej dy vitesh po paraqiten shumë mirë dhe kërkoj të mësoj sa më shumë të jetë e mundur. Jam i kënaqur nga ajo që kemi bërë deri tani, por qëndrova sepse kisha dëshirë të luaja dhe të tregoj sa vlej. Ka pasur disa mundësi për largim këtë verë, por me agjentin tim dhe me drejtuesit e klubit i vlerësuam me qetësi gjërat dhe vendosa të qëndroj. Ky mund të jetë viti i duhur për mua, sepse me trajnerin Gasperini mund të bëj hapin e madh cilësor. Tani duam të kualifikohemi për në grupet e Europa Ligës dhe jemi optimistë”.