Sherr në familje, i riu mbante armë pa leje

22-vjeçari Geg Gjini, është emër i njohur për uniformat blu, pasi njihet nga policia si njeri problematik në marrëdhëniet familjare. Ai ka pasur shpesh konflikte dhe është shoqëruar në polici.

Këtë herë 22-vjeçari është vënë në pranga për armë pa leje. Kanë qenë qytetarët që kanë sinjalizuar policinë se i riu kohët e fundit kishte gjetur dhe mbante në shtëpi armë zjarri pa leje, nisur edhe nga fakti që ky shtetas ishte problematik në marrëdhëniet familjare i shoqëruar disa herë në Polici për konflikte në familje.

Për të parandaluar ndonjë ngjarje të rëndë në familje, Policia e Matit ka organizuar punën duke ushtruar kontroll në banesën e tij, ku ka gjetur të fshehur në një magazinë një armë zjarri automatik me 27 fishekë. Arma e zjarrit sëbashku me municionin është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.