PPP të pasuksesshme – OSHEE: Nuk arritën pritshmëritë gjatë 2017-ës

Shumë prej kontratave koncensionare në sektorë të ndryshëm të ekonomisë kanë rezultuar të pasuksesshme. Një ndër këto sektorë është edhe ai i energjisë. Vetë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, pranon se investimet e kryera nëpërmjet Partneritetit-Publik Privat nuk kanë  arritur pritshmëritë e parashikuara për vitin 2017.

Në dokumentin e planit të investimeve të hartuar për periudhën 2018-2022, OSHEE bën me dije se për vitin 2018, këto lloj investimesh, përmes PPP-ve, nuk janë përfshirë në planifikim pikërisht për këto arsye. Megjithatë në dokument theksohet se nuk përjashtohet mundësia e realizimit të investimeve që rezultojnë të nevojshme dhe të arritshme duke përmbushur kuadrin ligjor në fuqi.

Ndërkaq, sa i përket investimeve gjatë vitit që lamë pas, ato janë regjistruar në vlerën e  9.7 miliardë lekëve. Nga të dhënat e Shoqërisë, rezulton se gjatë vitit 2017 janë kapitalizuar 4.8 miliardë lekë nga këto investime dhe 4.8 miliardë të tjera janë ende në proces. Ndërsa në 5 vitet e ardhshme, OSHEE parashikon të investojë 294 milionë euro në sektorin e furnizimit me energji elektrike.