Paloka: Balla pranoi miqësinë me trafikantin. Dorëheqje e mënjëhershme

Partia Demokratike kërkoi sot dorëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm të PS dhe kreu të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Nënkryetari i PD, Edi Paloka tha se pasi Taulant Balla pranoi se kishte miqësi familjare me Edmond Begon, personin e dënuar në Itali me 21 vite burg për trafik droge, çdo politikan normal do të kishte dhënë dorëheqjen.

Paloka u shpreh se gjyqtarët dhe policët po largohen nga detyra për shkak të kontakteve me njerëz të inkriminuar, ndërsa Taulant Balla e pranon vetë se ka mik familje ish-anëtarin e Bandës së Lushnje.

“Tre ditë pas arrestimit të trafikantit, Balla pranoi se ka miqësi familjare me anëtarin e Bandës së Lushjes. Në çdo vend, pranimi i miqësisë me një trafikant do të pasonte me dorëheqjen. Por në Shqipëri kjo funksionon për policët dhe gjyqtarët, por jo për Taulant Ballën”,- tha Edi Paloka.

Duke ju referuar deklaratës së sotme të Tualant Ballës se i arrestuari Edmond Bego e ka kryer dënimin e gjykatës italiane në Shqipëri, Paloka tha se numri dy i PS duhet të sqarojë dhe problemet e tjera ligjore.

Paloka tha sa se Balla duhet të sqarojë se përse ndaj Begos nuk është zbatuar ligji anti-mafia që i sekuestron pasuritë e vendosura nga krimi.

Nga ana tjetër ai shtoi se si ka mundësi që një person i dënuar me 21 vite burg në Itali, brenda pak vitesh arrin të bëhet biznesmen i suksesshëm në Shqipëri.

Deklarata e plotë e nënkryetarit të PD, Edi Paloka

“Njësoj si Saimir Tahiri disa muaj më parë, Taulant Balla nuk kurseu as djalin e tij, as fëmijët e mikut të tij trafikant ndërkombëtar droge për t’u dukur të dy si viktima në sytë e publikut.

Partia Demokratike hedh poshtë me neveri këtë përpjekje të turpshme të numrit dy të Partisë Socialiste, që përdor si mburojë pafajësinë e fëmijëve.

Sot, 3 ditë pas arrestimit nga autoritetet greke të trafikantit ndërkombëtar të drogës, Taulant Balla u detyrua të pranojë atë që e dinë të gjithë: se ai ka miqësi familjare me ish anëtarin e bandës më të pamëshirshme në Shqipëri, që është i dënuar në Itali me 21 vjet burg si trafikant i rrezikshëm droge dhe është shndërruar nga Rilindja në një biznesmen të fuqishëm ndërtimi.

Në çdo vend normal, një rrëfim i tillë për miqësi familjare me botën e krimit do të pasonte me dorëheqjen nga çdo funksion politik. Në Shqipëri ky standard funksionon me shkarki nga detyra për gjyqtarët, prokurorët dhe policët. Por nuk funksionon për Edi Ramën, Fatmir Xhafën dhe Taulant Ballën.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste nuk iu përgjigj pyetjes kryesore që bëjnë shqiptarët dhe opozita:

Çfarë e lidh atë me një trafikant ndërkombëtar droge, pasuria e të cilit është shumëfishuar që nga lidhja e miqësisë me Taulant Ballën, që njihet, tani edhe si mr. Toyta Yaris?

Taulant Balla gënjeu publikisht, kur tha se miqësia me Edmond Begon nuk i ka dhënë trafikantit të drogës mburojë politike, por nuk i dha përgjigje pyetjes: Pse aksioni qeveritar “Forca e Ligjit”, i cili verifikon ligjshmërinë e pasurisë së trafikantëve të drogës, nuk ka vepruar ndaj mikut të tij Mondi Bego.

Është gënjështër e pacipë deklarata e Taulant Ballës se miku i tij me 5 emra ishte një njeri i zakonshëm dhe po përdoret nga PD për të hedhur baltë mbi të për qëllime politike. Edmond Bego, alias Manoli Bego, alias Mond Bega, alias Saimir Sina, alias Saimir Gjatari është anëtar i bandës së Aldo Bares, trafikant i jashtëzakonshëm droge, i dënuar me 21 vite burgim në Itali.

Sot Taulant Balla nuk duhet të sfidojë PD, por Prokurorinë dhe policinë për t’iu kërkuar zbatimin e “Forcës së Ligjit” për verifikimin e ligjshmërisë së pasurisë së mikut të tij trafikant.

Taulant Balla duhet të sfidojë Prokurorinë dhe Policinë për të hetuar dhe sqaruar shqiptarët, nëse pasuria e trafikantit biznesmen është shtuar këto dy vjet me ndikimin dhe ndërhyrjen e Taulant Ballës.

Numri dy i Partisë Socialiste duhet të sfidojë Prokurorinë dhe Policnë, duke iu kërkuar zbatimin e “Forcës së Ligjit” për të hetuar se kush e ka ndihmuar një trafikant të rrezikshëm droge, ish anëtarin e bandës së Aldo Bares, të pajiset me leje, liçensa dhe të fitojë miliona euro punë publike.

Përsa i përket shpjegimit për Jurgis Çyrbjen, anëtarin e bandës tjetër, asaj të Emiljano Shullazit, i mjeri Taulant Balla gënjeu trashë.

Prokuroria nuk mund të japë zyrtarisht, siç tha Balla, asnjë informacion për persona nën hetim. Sot prokuroria ka rastin të sakrifikojë diçka nga përkushtimi politik dhe të japë përgjigje, nëse e ka informuar apo jo Taulant Ballën për Jurgis Çyrbjen.

Heshtja e prokurorisë, siç ka vepruar gjithë këto ditë, veçse konfirmon faktin se ajo nuk i shërben të vërtetës, por pushtetit të Edi Ramës dhe krimit të organizuar të lidhur me të”.

Taulant Balla e pranon: E njoh Edmond Begon

Në një konferencë të përbashkët për mediat me deputetë gjermanë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është pyetur nga gazetarët rreth akuzave të opozitës për lidhje të dyshimtë mes tij dhe Edmond Begos, të arrestuar në Itali në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Italia.

“Personin në fjalë e njoh. Njoh bashkëshorten e tij dhe dy fëmijët, nxënës të shkëlqyer, moshatarë me tim bir. Kurrë nuk iu është ofruar mburojë nga ligji. Përgjigjen më të mirë e dha policia dje. Unë e di se për shumë shqiptërë në kufinj bëhet veriikimi i të shkuarës së tyre në lidhje me dënime dhe kjo është diçka normale. Por në këtë proces është e rëndësishme të hiqet dorë nga njerëz të thjeshtë, për përdorim të njërit krah kundër krahut tjetër. Kjo është pjesë e Babales, Seria 3, se është e qartë se personi në fjalë nuk është në kërkim nga asnjë prej shërbimeve. Konventat ndërkombëtare parashikojnë 40 ditë kohë dhe kur të dalë ju mund ta pyesni vetë. Dhe për mediat, nuk mund të bëhet i njëjti lajm për personin si kur e ka kryer, si pasi e ka kryer veprën penale” u shpreh Balla”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, teksa u pyet nëse ka lidhje biznesi me Edmond Begon, i cili është dënuar për trafik droge dhe njihet si njeri i bandës së Aldo Bares.

Më tej ai theksoi se Begos, nuk i është ofruar kurrë mburojë politike. “Përgjigjen për këtë çështje e ka dhënë policia e shtetit. Edmond Bego nuk ka qenë në kërkim në Shqipëri Opozita të shkojë t’i drejtohet prokurorisë për dyshimet e saj”, shtoi Balla.