Akademiku Beqir Meta: Shqipëria t’i bëjë presion Serbisë për Kosovën

Akademiku dhe historiani Beqir Meta, në një intervistë për gazetën “Shekulli” analizon çështjen e kufijve Kosovë-Serbi, për të cilën thotë se është një çështje europiane me diferenca pikëpamjesh, ku herë është refuzuar ideja për lëshim kufijsh, e nga disa të tjerë është pranuar kompromisi midis palëve. Gjatë kësaj bisede historiani Meta, kërkon që shqiptarët duhet të bëjnë presion në mënyrë që Serbia të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, pasi interesi i shqiptarëve është që të mos ketë ndryshim kufijsh dhe që Kosova të njihet nga Serbia. Ai pohon me siguri, se faktori ndërkombëtar po diskuton këto kohë për kufijtë mes dy shteteve, por ende nuk dihet nëse trendi i ardhshëm i zhvillimeve do të jetë në favor apo në disfavor të Shqipërisë. Situata është ende e paqartë, tha më tej.

Si e komentoni çështjen e përcaktimit të kufijve Kosovë-Serbi?  

Çështja e moslëshimit të kufijve në Europë është një çështje europiane, e cila është vendosur që me konferencën e Helsinkit, që do të ketë ndryshime kufijsh në Europë. Këto ndryshime kanë ndodhur përmes luftërave, që nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe ngjarjeve të tjera. Kjo është një çështje që duhet peshuar: duhet ditur, se ku janë faktorët madhor ndërkombëtar? Cili është pozicionimi i tyre? Pavarësisht deklaratave kompozitore, shohim gjermanët që thonë se: “në këto momente nuk ka lëshim kufijsh”, ndërsa amerikanët thonë: “do ketë një marrëveshje kompromisi midis palëve”. Pra, midis rreshtave mund të lexojmë që ka diferenca pikëpamjesh midis fuqive të mëdha në këtë kohë. E rëndësishme është që duhet të fillojë presioni i madh i shqiptarëve, që Serbia të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Interesi jonë është që të ketë një presion të vazhdueshëm me Serbinë, që të kuptojë se do të humbasë më tepër sesa do të fitojë, nëse nuk i normalizon marrëdhëniet me Kosovën.

Cila është zgjidhja që rekomandoni?

Unë nuk mund të ofroj një zgjidhje në këto momente, por ka diskutime brenda kancelarive të ndryshme për këtë çështje. Ndërsa interesi i shqiptarëve është që të mos ketë ndryshim kufijsh dhe Kosova të njihet nga Serbia, siç është njohur ndërkombëtarisht dhe të pranohet në OKB. Interesi i shqiptarëve është që të mbyllet konflikti me Serbinë, të kemi një situatë të zgjidhur, në mënyrë sa paqësorë dhe të fillojnë marrëdhëniet fqinjësore me këtë vend, me të cilin Shqipëria ka pasur gjithmonë probleme. Interesi jonë është që t’i mbyllim sa më parë këto shtigje, sepse marrëdhëniet ndërkombëtare janë në evolucion dhe askush nuk mund ta parashikojë, se cili do të jetë trendi i ardhshëm apo tendencat e zhvillimit të tyre. A mund të shkojnë ato në favor të zhvillimit shqiptar apo mund të shkojnë në disfavor. Janë situata ende të paqarta.

Si i gjykoni bisedimet për kufirin detar e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, po flitet për interesa të fshehta?

Sigurisht. Kur ka diplomaci të fshehtë opinioni publik ka gjithmonë të drejtë të dyshojë. Por janë probleme të vështira që nuk mund të negociohen me diplomaci të hapur midis shteteve. E mira është që të kemi marrëveshje me Greqinë, por pa u prekur interesat shqiptare. Ajo duhet të jetë e barabartë dhe gjithëpërfshirëse. Por mesa po shohim nga komunikimet publike nuk është e tillë. Unë mund të them, se gjithë këto vite, që në vitin 1971 që janë vendosur marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Greqisë, kjo e fundit vetëm ka siguruar benefite nga Shqipëria. Ka siguruar përfitime të mëdha; në vitin 71 konservoi Ligjin e Luftës dhe e detyroi palën shqiptare që të mos i referohej çështjes çame, nga ana tjetër nuk pranoi validitetin e përhershëm të kufijve. Pra, njohjen ndërkombëtare të kufijve. Megjithëse vendosi marrëdhëniet  diplomatike, sepse ishin në interesin e saj dhe të palës shqiptare, që të normalizonte marrëdhëniet, por ajo arriti të realizonte objektivat e vet strategjik. Siç dihet, është përdorur presion ndaj shqiptareve për të mbrojtur interesa greke, që janë në dëm të Shqipërisë, siç është çështja e pronave që kanë mbetur të konfiskuara nga shteti grek apo çështja çamë, për të cilën ministri grek nuk pranon ta përfshijë në axhendë diskutimesh.

Po flitet për heqje të Ligjit të Luftës. Sipas jush, si ndikon një vendim i tillë te pronat e shqiptarëve në Greqi?

Heqja e Ligjit të Luftës ka ndikim pozitiv për shqiptarët, sepse është një situatë anormale dhe amorale në marrëdhëniet midis dy shteteve. Vetëm grekët mund ta bëjnë këtë lloj dypronësie. Sigurisht që është mirë të hiqet, por jo të hiqet me kosto në dëm të shqiptarëve, sepse zona në diskutim është një Zonë Ekskluzive Ekonomike, ku parashikohen pasuri të mëdha. Dhe për një shtet të varfër si Shqipëria janë burime shumë të rëndësishme, që do të thotë: i humbim një shans vendit për prosperitet, i cili po boshatiset çdo ditë nga varfëria, nga niveli i ulët i qeverisjes së këtij vendi. Qeveritë shqiptare të kësaj kohe nuk janë qeveri demokratike, nuk janë qeveri përfaqësuese në kuptimin e plotë të fjalës, sepse nuk kanë mekanizma të tjerë kontrolli paralel, siç kanë shtetet demokratike të botës. Mund të ketë diplomaci personale, ku politikanë të veçantë i janë nënshtruar interesave të tyre. Ky është një shqetësim i madh për opinionin, të cilin e krijon vetë natyra e politikanëve që kemi në krye të shtetit. Unë si historian, jam i bindur që ka një hije dyshimi. Marrëveshja nuk ka pasur arsye që të zgjaste, nëse aty nuk ka interesa madhore ekonomike. Pra, kuptohet që është një zonë me interesa të mëdha ekonomike.

Si parashikohet të merret vendimi për Zonat Ekskluzive Ekonomike?

Është një marrëveshje delikate, sepse kanë mbetur probleme të pazgjidhura nga e kaluara, siç është çështja çame, çështja e pronës dhe Ligji i Luftës, ku Greqia ka arritur në avantazh me Shqipërinë. Zona Ekskluzive Ekonomike do vihet në diferencë: sa i vlen Greqisë dhe sa i vlen Shqipërisë? Sa do ta shesë secila palë ndryshimin që do të bëjë? Ndonëse historianët kanë akses në analet e diplomacisë të 40 viteve më parë, por nuk kanë asnjë lloj aksesi në këtë të sotmen. Kështu që nuk e dimë, se çfarë temash konkrete po negociohen. Por duke qenë një ZEE, nuk duhet bërë asnjë lëshim, përderisa kemi të bëjmë me një territor që është ekskluziv shqiptar dhe mund të ketë rëndësi të madhe për vendin tonë.

A mendoni se ka interesa të fsheha në këtë marrëdhënie?

Ka një gjysmë shqetësimi, ku pala shqiptare mban fshehtësi të plotë, ndërsa pala greke përsa i përket çështjeve sensitive nuk ka mbajtur fshehtësi. Po ju them një model: edhe në këtë drejtim shohim që ka një disbalancë midis bisedimeve, pasi Greqia deklaroi që çështja çame nuk është pjesë e axhendës, ndërsa pala shqiptare bën deklarata ekuivoke për të mbuluar gjërat e veta. Kështu që ka shqetësim për detajet, por ama ne shohim që edhe çështja e fshehtësisë është në disproporcion midis palëve.

Akademia nuk ka Platformë për Zhvillim Kombëtar

Në këtë bisede për “Shekullin”, Beqir Meta, bën me dije, se Akademia e Shkencave nuk ka një studim të fundit të Platformës për Zhvillim Kombëtar, të cilën e konsideron jo korrekte për mënyrën e vlerësimit nga Akademia, duke e bërë padrejtësisht markë të veten. Më tej, shpreh se: “Akademia këtë vit nuk është akademi që i jep zgjidhje politikave, pasi shteti shqiptar nuk e ka aktivizuar, por e bën politikën sipas Ministrisë së Jashtme apo institucioneve të veta të sigurisë, duke mos e përfshirë akademinë në këtë lloj sistemi”.

A ka Akademia e Shkencave një Platformë për Zhvillim Kombëtar?

Aktualisht nuk ka një studim. Ka qenë një platformë që nxori Akademia e Shkencave në 1998, por u prokurua nga disa individë, nuk është se u miratua në forumin e Akademisë së Shkencave, duke ju dhënë marka e Akademisë. Që këtu ishte jo korrekte, sepse nuk është korrekte që pa kaluar në një forum të quhet e atij forumi. Platforma u zhvlerësua më shumë kur fuqitë e mëdha botërore, si: NATO, SHBA dhe fuqitë e europiane, kishin vendosur që ta zgjidhnin çështjen me mjetet e forcës. Sigurisht, që kjo zgjidhje ka pasur edhe kompromiset e veta, që ne akoma nuk i dimë, por që dyshojmë. Platforma e Akademisë së Shkencave atëherë ishte jashtë kohe, shumë mbrapa zhvillimit të ngjarjeve, të cilat ishin të vështira të parashikoheshin. Akademia këtë vit nuk është akademi që i jep zgjidhje politikave, pasi shteti shqiptar nuk e ka aktivizuar, por e bën politikën sipas Ministrisë së Jashtme apo institucioneve të veta të sigurisë dhe nuk e ka të përfshirë Akademinë në këtë lloj sistemi. Konsiderohet që kjo është një akademi e shteteve hipernatyrale, të shteteve që kanë një historizëm shumë të “ashpër”, e cila vendos edhe institucionet e tjera në shërbim të këtij institucionalizimi. Akademia e Shkencave të Shqipërisë nuk e ka këtë profil. Shqipëria ka një profil tjetër nga pikëpamja e formatit të institucionalizimit që ka. Pra, për politikat e jashtme shteti shqiptar ka institucione të veçanta, sigurisht mund të bashkëveprojnë me Akademinë, por nuk mund të jetë akademia që duhet t’i japë zgjidhje kësaj. Edhe tentativa e parë që u bë ishte e gabuar dhe nuk dha një version të saktë, sepse nuk i kishte këto informacione.