Ruani socialistët nga ‘Mondët’!

Kundër deklaratë ndaj akuzës së PD për Taulant Ballën!

Nuk është mirë more zotërinj të ngatërroni kekun me byrekun dhe është absolutisht e pafalshme dhe infantile do të thoja, që pikërisht z Edi Paloka si nr. 2 i PD të ulte nivelin e vet deri këtu. Po si mund të akuzosh Taulant Ballën, njeriun e ndershëm librazhdaras, për bashkëpunëtor me të kërkuarin për trafik ndërkombëtar droge?!

Po pse mor zotëri, faj i Taulantit që kërkon një motër, me falni që kërkon një motor, më falni që kërkon…kërkon…një Mond…është?!

Mondi i është qepur mbrapa me dhunë Taulantit…dhe Taulanti nga frika i ka ofruar tenderë dhe ai po me dhunë i ka dhënë leke, më falni, euro… Kur Taulantit i është dashur të shkoj të takoj socialistët emigrante në Greqi, ky Mondi i është qepur mbrapa me çantë me euro…, hotel, dreka, darka, shopping…, p.sh në Cosmos në Selanik apo ne “Hayatt casino”, kur të ngjitet tjetri mbrapa ç’ti bëj Taulanti?!

Kështu e mori me dhunë dikur njeri dhe e çoi të shikonte Real Madrid-Barcelona, se ti u tha je librazhdar dhe të takon, zbrite nga fshati shite gomar dhe bleve fuoristradë se gomari librazhdar kushton shumë, prandaj dhe Taulanti është kaq i suksesshëm. Zotërinj të PD, akuzat tuaja janë jo vetëm të ulëta, por shume të ulëta, kur Taulanti parat i ka bërë ‘kulla’. Sot me shumë se kurrë duhet që Taulantin ta shpallim Mond kulture, më falni droge kulture, me falni për lapsusin por ta shpallim rilindas kulture!

Kjo është Shqipëria që duam! Ruani socialistët nga ‘Mondët’! Rroftë Edi Rama i parë! P.S. Mondi nesër lirohet.