Reali denoncoi Interin në FIFA, por Modric i ka tradhtuar keq me deklaratën e tij

Reali i Madridit ka hapur zyrtarisht një çështje në institucionin numër 1 të futbollit, ku akuzojnë Interin se ka shkelur nenin 18, në lidhje me merkaton e futbollistëve. Presidenti Florentino Perez akuzoi italianët se ata kontaktuan direkt me futbollistin dhe jo me klubin, në përpjekje për ta bindur atë që të transferohet në Milano. Interi reagoi dhe sqaroi e ka vepruar konform rregullave dhe e quajti të pavërtetë akuzën e numrit 1 të klubit madrilen.

Por sipas gazetës sportive italiane “Gazzetta dello sport”, kroati i pyetur nga FIFA u tha se ishte ai që kishte kontaktuar me klubin zikaltër pasi dëshironte të luante aty. Tek Interi janë edhe 3 bashkëpatriotët e tij, me të cilët gjithashtu luan në kombëtare, Perisic, Brozovic dhe Vrsaljko.

Nga e gjithë kjo çështje, në fund i fituar doli Luka Modric, të cilit iu ofrua një kontratë e re me më shumë të ardhura vjetore. Ai do të paguhet 10 milionë euro në një sezon, po aq sa edhe kapiteni Sergio Ramos. Gjithashtu ai do të jetë edhe lideri i ri i skuadrës, por pas kësaj deklarate, shumë madrilenë mund t’i vihen kundër.