Presidenti Meta uron besimtarët për festën e Kurban Bajramit

Presidenti Ilir Meta ka uruar besimtarët myslimanë shqiptarë me rastin e Festës së Kurban Bajramit.

Në një mesazh në Facebook, kreu i shtetit shprehet se kjo festë sublime për besimtarët është edhe përjetësim i harmonisë fetare që ekziston në Shqipëri.

“Kjo ditë feste e bashkimi, simbol i sakrificës sublime, thekson besimin e patjetërsueshëm ndaj vlerave më të mira fetare e njerëzore, duke na ftuar të ndajmë begatinë tonë me më të vobektit, me më të pafatët dhe me ata që gjenden në nevojë.
Mbi gjithçka kjo Festë përjetëson e vërteton harmoninë dhe bashkëjetesën fetare proverbiale, që e ka karakterizuar kombin tonë prej shekujsh”,- shprehet Presidenti Meta në mesazhin e tij.

Mesazhi i plotë i kreut të shtetit:

Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë!
Dita e shenjtë e Kurban Bajramit na kujton ripërtëritjen e ndjenjave të besimit, të devotshmërisë, të thjeshtësisë e të përuljes para të Plotfuqishmit.
Kjo ditë feste e bashkimi, simbol i sakrificës sublime, thekson besimin e patjetërsueshëm ndaj vlerave më të mira fetare e njerëzore, duke na ftuar të ndajmë begatinë tonë me më të vobektit, me më të pafatët dhe me ata që gjenden në nevojë.
Mbi gjithçka kjo Festë përjetëson e vërteton harmoninë dhe bashkëjetesën fetare proverbiale, që e ka karakterizuar kombin tonë prej shekujsh.

Në këtë ditë të shenjtë dëshiroj të uroj besimtarët myslimanë shqiptarë kudo ndodhen: Gëzuar dhe për shumë vjet Festën e Kurban Bajramit! Ju uroj nga zemra sa më shumë mirësi, solidaritet, mirëkuptim e dashuri në familjet tuaja si dhe mes njëri-tjetrit, të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë!
Sa më tepër paqe, tolerancë, mirëbesim e begati!
Zoti i ndihmoftë shqiptarët dhe Shqipërinë për jetë të jetëve!🇦🇱”.