Interi i Spallettit dështon në debutim, blerjet e reja nuk duken “askund”

Një merkato e shkëlqyer në letër në verë, një sulm i frikshëm me Lautaro e Icardi që janë e tashmja dhe e ardhmja, titulli që po përmendej gjithnjë e më shpesh dhe krejt papritur, zgjimi i hidhur i Interit. Ndeshja e parë e kampionatit, në fushën e Sasuolos, ka mjaftuar për të nxjerrë në dritë gjithë problemet e skuadrës së drejtuar nga Luciano Spalletti. Tifozët zikaltër kanë parë me dëshpërim Interin e vjetër, atë që ka vite që masakrohet nga Sasuolo dhe me zor kapi vendin e katërt sezonin e fundit.

U duk se ishte viti i duhur për kthim te lavdia, por tani dyshimet janë të mëdha, edhe pse nuk mjafton një ndeshje e gabuar për të nxirë gjithçka. Lautaro Martinez është shumë i ri dhe ka nevojë për kohë, ndërsa shënoi një gol fantastik në miqësoren ndaj Atletikos, por janë gola pa vlerë. Në “Reggio Emilia” ishte një Inter pa ide në sulm dhe duket se dyshja e ëndrrave ka nevojë për kohë dhe durim, derisa të funksionojë si duhet. Icardi e ka makth Sassuolon, në 6 ndeshjet e fundit nuk i ka shënuar dhe është mundur 5 herë, ndërsa vjet humbi edhe penallti në Mapei Stadium.

Nuk është vetëm sulmi nën akuzë, sepse Dalbert në të majtë të mbrojtjes ishte një zhgënjim total, duke vuajtur tmerrësisht, derisa Spalletti e zëvendësoi. Po mesfusha? Nainggolan ishte në tribunë, Modric nuk erdhi, Vidal nuk erdhi dhe Rafinha u kthye te Barcelona, ndaj tashmë mungon regjisori dhe ky është një tjetër problem serioz për Spalletti-n. Politano ndërkohë tregoi se nuk është ai futbollisti që mund të ndryshojë ekuilibrat e një ndeshje, duke mos arritur që të shfrytëzojë mundësitë që ju krijuan në sfidën e parë. Punon shumë, por nuk ka kualitet për të qenë lider në repartin e sulmit, dhe me Icardin, i cili ishte në një ditë të zezë, ishte shumë e vështirë për të gjetur golin.

Në “Mapei Stadium”, Interi pësoi humbjen e tretë në tre debutimet e fundit në kampionat. Berardi është kthyer në mallkim, pasi të dielën në mbrëmje shënoi golin e katërt në 6 ndeshjet e fundit. Në pjesën e dytë Perisic ndryshoi dukshëm lojën, duke u bërë i paparashikueshëm në krahun e majtë së bashku me Asamoah, duke qenë dy ndër futbollistët më aktiv. Vrsaljko ende nuk ka debutuar ende me zikaltërit, ashtu si edhe Nainggolan, por kjo nuk mund të shërbejë si justifikim për humbjen e parë në kampionat ndaj një ekipi modest si Sassuolo. Nëse Interi synon që të qëndrojë në vendet e para në kampionat, duhet të ndryshojë ritëm, pasi me këtë rrugë nuk do të shkojë shumë larg.