Humor/Koncesioni i leshit

Nga Agim Xhafka

-Berberi i Fierit është akoma në qiell të shtatë. Tani iu harrua mbiemri. Berberi i Ramës e thërrasin dhe e tregojnë me gisht.

Mbrëmë organizoi një party nga gëzimi. Pas dy gotave me pepsi u tregoi shokëve:

-Do kërkoj ta marr me koncesion kokën e Ramës!

Heshtën të gjithë sa zuri në gojë fjalën kokë. Në trutë e gjithkujt po krijoheshin skena horrori. Por Bledi, kushëriri i tij ia priti:

-Ti beson se Rama do ketë lesh në kokë për tërë jetën? Se sikur ai…

Nisën kukurisjet dhe gallatat. Por kjo pyetje nuk ngeli pa përgjigje. Dikush solli shembullin e checkup-it.

-Bën analiza, nuk bën analiza koncesionari i merr lekët. Dhe ti këndo, me lesh, pa lesh, Ramë më paguaj që të më kesh.

Por vulën e vuri vetë berberi.

-Edi mbase pas ca vitesh nuk do ketë lesh në kokë, por nuk do i mungojë leshi në pjesë të tjera të trupit. Pra unë nuk ngelem pa punë.

Kështu u la. Sot do hartonin kërkesën e nesër do e nisnin në Tiranë. Ja pra që dhe koka e Ramës do ketë së shpejti koncesionarin e shkurtimit periodik të leshit.