Godina si shpërthim zemërimi. Fadromat gati, opozita para fadromave  

Sesioni i ri parlamentar fillon të hënën e parë të shtatorit, pra me 3 shtator. Kryeministri Rama e ka ndarë mendjen që dekretin e Presidentit Meta për kthimin e Ligjit për Teatrin ta rrëzojë që në seancën e parë. Sipas Kushtetutës ligji kthehet vetëm njëherë nga presidenti dhe më pas nëse parlamenti e rrëzon, atëhere ligji hyn në fuqi mënjëherë. Por rrëzimi në seancë parlamentare me datë 3 shtator, do të ketë edhe një skenar të opozitës. Ata do të uzurpojnë podiumin e parlamentit duke mos lejuar që dekreti të rrëzohet, pra që ligji të miratohet në mënyrë automatike.

Debati për prishjen e Godinës historike të Teatrit Kombëtar ka muaj që ka pushtuar politikën. Mazharonca ka vendosur prishjen e godinës, pasi sipas tyre do të ndërtohet një godinë e re europiane, por nga privati. Ndërkohë opozita thekson se ky është një pazar i pastër i Edi Ramës me firmën Fusha shpk, sepse me pretekstin e ndërtimit të teatrit të ri nga firma private, shteti fal mijëra metra katror mu në mes të Tiranës, pikërisht kësaj firme private. Përfitimi, sipas PD-LSI, në këtë rast është mbi 200 milionë euro, pasi firma në këmbim të ndërtimit të teatrit të ri do të ndërtojë 6 kulla biznesi shumë të larta. Opozita insiston se duhet që shteti të ndërtojë godinën e re të teatrit dhe të mos fal asnjë metër tokë të Teatrit, firmës private. Nga ana e tij kryeministri justifikohet se nuk kaq buxhet shteti për të ndërtuar një teatër të ri, pasi shkon diku te 30 milionë euro. Dhe përmend si shembull PPP që u përdor të ndërtimi i stadiumit të ri kombëtar.

Të dyjave palët politike e kanë kthyer Godinën e Teatrit si Godina e Jeruzalemit dhe do përplasen. Kryeministri e ka ndarë mendjen që me forcë do të shembë godinën e teatrit, kurse një pjesë e madhe e artistëve, bashkë me opozitën, deklarojnë se “vetëm kur fadromat të kalojnë mbi trupat tanë mund ta ndërtojë Edi Rama teatrin duke marrë tokën e tij”. Erion Veliaj, pas rrëzimit të ligjit nga presidenti, u vu çuditërisht në krye të akuzave, indirekte, ndaj presidentit pse ktheu ligjin. Bile kryebashkiaku, natyrisht i detyruar nga kryeministri Rama, arriti deri atje sa tha në media se “do të presim edhe 40 ditë sa të fillojë Kuvendi”, duke nënkuptuar me ironi se sapo ta miratojë prapë Kuvendi, fadromat do të fillojnë punën për rrëzimin e teatrit. Nuk dihet nëse Erion Veliaj e ka bindjen e plotë mbi sulmin ndaj presidentit apo i duhej si kartë besueshmërie e tij ndaj Edi Ramës që ai ta rikandidojë prapë për kryetar bashkie në kryeqytet në maj 2019.

Tashmë 3 shtatori po vjen dhe PS-ja ka votat për ta rrëzuar dekretin, sikurse kishte edhe për të miratuar ligjin. Se ç’ndodh në seancën e 3 shtatorit pakkush e di saktë, por një gjë dihet: Godina e Teatrit Kombëtar do shërbejë si “Jerulazem” ku palët do përplasen keq. Shpresoj jo kaq keq sa mendohet, pasi populli opozitar dhe një pjesë e artistëve në ballë do të dalin para fadromave duke u përleshur me policinë. Dhe nuk do jetë e lehtë për qeverinë, këtë radhë.

Do jetë përplasje, ku njëra palë ikën në shtëpi, kësaj radhe. Fadromat janë prej hekuri, por revolta e opozitës këtë herë do jetë prej çeliku.

Dhe imagjino, të rrëzohesh nga një Godinë, por prej popullit! 3 shtatori po vjen me nxitim dhe po me kaq vrap qeveria po bën gati fadromat. Me sa duket do jenë “fadromat e varrosjes se qeverisë”. Opozita e ka ndarë mendjen. Monika Kryemadhi ka deklaruar se do dalë para fadromës. Kjo Godinë Teatri do mbetet në histori, mundet si busti i Enverit në 20 shkurt 1991, ku ra regjimi. Kjo është godinë ku përformuan aktorët me të mëdhenjë të Shqipërisë dhe nuk ka asnjë lidhje me bustin apo me bustet. Por në sensin e përballjes mes Edi Ramës dhe popullit opozitar e artdashës, kjo Godinë pas 3 shtatorit do ketë edhe një bust memorie: Këtu ra pushteti arrogant dhe autoritar!

Mund të ketë edhe bust heronjsh që mund të bien dëshmorë para fadromave…