Biznes me ujin në 20 fshatra të Finiqit

20 fshatra në njësinë Livadhja në bashkinë e Finiqit, vuajnë prej vitesh mungesën e plotë të ujit të pijshëm. Prej 25 vitesh, banorët kanë mbajtur ujë të pijshëm në krahë. Banorët, pothuajse të gjithë të moshuar, janë duke blerë ujë për të pirë e për përdorime të tjera nga të tjerë bashkëfshatarë që kanë hapur puse, por situata është shumë e vështirë.

Dhoksia, njëra prej grave të moshuara thotë se me kalimin e viteve edhe ato pak çesma që gjenden kilometra larg nga fshati janë dëmtuar, ndërsa askush prej banorëve nuk është në gjendje qw të ecë aq gjatë dhe të transportojë ujë.

Dhimitri dhe e shoqja blejnë çdo ditë 1 metër kub ujë me vlerë 500 lekë dhe askush nuk është i sigurtë nëse është i pijshëm. Tregtia e ujit ka nisur vite më parë, thotë Dhimitri. 80% e fshatrave blejnë ujë nga 20% e banorëve që çelën puse, duke e kthyer shitjen e ujit në një biznes të mirëfilltë. Mungesën e ujit në këtë zonë e vuajnë më shumë se 8,000 banorë rezidentë, ndërsa në verë kur përkohësisht popullsia dyfishohet, uji bartet me mjete e kafshë ngarkese nga distanca të largëta.