Shezai Rrokaj: Broçkullat e Kryeministrit në Jalë për “Akademinë e 100 fshatrave”

Nga Shezai Rrokaj

Kryeministri bëri qokën e radhës, këtë herë në Jalë, ku thirri një grup të rinjsh të Akademisë Qemal Stafa dhe ERTV-në e tij për t’u mbushur mendjen shqiptarëve mbi projektin e tij të ‘100 Fshatrave’.

Ky kryeministër po ua torollit kokën shqiptarëve vetëm me sajesa termash si, bie fjala, kjo Akademi, apo siç ishte ‘policia që duam’, por nuk doli ajo që deshëm; portali ‘mësues për Shqipërinë’ që u kthye në mësues për partinë, e shumë parrulla të tjera rilindëse si këto.

Kjo tregon se kryeministri ynë jo vetëm nuk ia ka heberin nga termi Akademi, sepse Akademinë e Shkencave e quajti Agjensi funeralesh, por vazhdon e vazhdon t’u flasë shqiptarëve për projekte imagjinare e ide në ajër.

Agriturizmi, zoti kryeministër, lidhet me dy shtylla kryesore si: bujqësia dhe turizmi rural i diversifikuar. Mirëpo edhe ato politika subvencionimi të fermerëve, të ngritura gjatë qeverisjes së mëparshme, i keni degraduar.

Çfarë turizmi do të zhvilloni Ju, zoti kryeministër, kur, më së pari, fshatrat nuk kanë rrugë, ujë të pishëm, impiante për ujërat e zeza, ndriçim normal e qendra shëndetësore? Meqenëse ndodheni në bregdetin e Jonit mjafton të përmendim se, që prej ish-Shkollës së Marinës, ujërat e zeza derdhen në det. Impianti i ujërave të zeza të Radhimës mbeti vetëm në letër.

Impianti i Orikumit u përurua, por nuk funksionon. Ndriçimi i rrugës së shëtitores të Orikumit ngjan si në pamjet apokaliptike, ku mbrëmjeve shquan silueta qeniesh që lëvizin.

Dhamë vetëm dy-tre shembuj sa për t’Ju rikujtuar të hiqni dorë nga paranoja verbale e propaganda, zoti kryeministër, sepse projektet i bëjnë edhe universitetet vendase, por kthehuni me këmbë në tokë e mos fluturoni: ndërtoni by pass-in e Fierit, atë të Vlorës, për të mos përmendur fshatin tuaj të zemrës, Vunoin që, edhe nga dy pasqyra sinjalizuese në rrugën përmes fshatit, njëra është e thyer. Apo mos ndoshta, vërtet medoni se Shqipëria që duam tani lëviz si Ju me helikopter.