Russiagate, ish-ndihmësi grek i Trump drejt dënimit me burg

Prokurori special i SHBA Robert Mueller ka rekomanduar një dënim me burg deri në gjashtë muaj për ish-ndihmësin e fushatës së Trump, George Papadopoulos.

Mueller, që drejton hetimet për ndërhyrjen e supozuar ruse në zgjedhjet e vitit 2016, tha se një dënim i tillë ishte “i garantuar dhe i përshtatshëm”. Papadopoulos, me origjinë greke ka pranuar se ka gënjyer në lidhje me kontaktet e tij me rusët, gjatë kohës që ishte një anëtar i ekipit të fushatës së Donald Trump.

Vendimi për dënimin ose jo të tij do të jepet më 7 shtator.

“Qeveria nuk merr qëndrim në lidhje me një dënim të caktuar që do të vendoset, por me respekt pret që një dënim me burgim brenda udhëzimeve të aplikueshme varion nga zero deri në gjashtë muaj burg është i përshtatshëm dhe i garantuar”, thuhet në memorandumin e z. Mueller për rastin.

Memorandumi shton se Papadopoulos gënjeu FBI-në për kontaktet e tij me ndërmjetësit e supozuar rusë. Ata përfshinin një profesor me bazë në Londër, i cili tha se Rusia kishte “përbaltur” figurën e kandidates për presidente Hillary Clinton.

“Gënjeshtrat e të pandehurit dëmtuan aftësinë e hetuesve për të marrë në pyetje profesorin ose për ta ndaluar ose arrestuar atë, ndërkohë që ai ishte ende në Shtetet e Bashkuara”, thotë memorandumi.

“Deklaratat e rreme të të pandehurit kishin për qëllim të dëmtonin hetimin, dhe e bënë këtë.”

Papadopoulos, një avokat ndërkombëtar i energjisë në Çikago, është një nga tre ish-zyrtarët e fushatës së Trump që kanë pranuar se kanë gënjyer hetuesit, përfshirë ish-këshilltarin e sigurimit kombëtar Michael Flynn dhe biznesmenin Richard Gates, i cili shërbeu si zëvendës kryetar i fushatës.

Më vete, ish-menaxher i fushatës së Trump Paul Manafort përballet me akuza për mashtrim bankar dhe taksash në gjyqin e parë që rrjedh nga hetimi për ndërhyrjen e supozuar ruse, por ai ka mohuar çdo keqbërje. Por, prokurorët thonë se 69-vjeçari shmangi taksat për miliona dollarë që bëri lobim për politikanët ukrainas.