Juve fitore me vuajtje ndaj Chievos, Ronaldo nuk shënon në debutim (VIDEO)

Juventus vuan shumë, por merr 3 pikët e para në sezonin e ri. Kampionët e Italisë fitojnë 3-2 ndaj Chievos, në një ndeshje që dhuroi shumë emocione. Dueli nisi mjaft mirë për bardhezinjtë që gjetën rrugën e rrjetës që në minutën e 3-të me Khedirën dhe më pas kishin mundësi të shumta për shënimi, por portieri Sorrentino ishte në një ditë të shkëlqyer, Chievo barazoi me daljen e parë me Stepinskin që shfrytëzoi mjaft mirë përgjumjen e Bonuccit në minutën e 38-të.

Fraksioni i dytë ishte më i çmendur se i pari, teksa vendasit kaluan në avantazh me një penallti të fituar dhe të kthyer në gol nga Giaccherini. Reagimi i Juventusit ishte i vrullshëm, por Sorrintino bën disa pritje fantastike ndaj Ronaldos. Bardhezinjtë barazuan në minuan e 78-të me një autogol të Banit, ndërkohë që në minutat shtesë Bernandeschi shënoi golin e fitores.