Ura “Morandi”, raporti i 2017-s: Nuk paraqet probleme

Ura Morandi në Itali

Pas tragjedisë në Genova, vendin e ka zënë zemërimi dhe kërkesa e llogarisë. Jo më larg se përpara 10 muajsh, punonjësit e Mbrojtjes Civile i dërgonin Këshillit rajonal vlerësimin e Stefano Mariglianit, drejtori i “Autostrade per l’Italia”, kompania që ka ndërtuar urën, sipas të cilit “Morandi” ishte urë e sigurtë.

“Në këtë moment, ura nuk paraqet asnjë problem të karakterit strukturor”, thuhej aty. Takimi i Këshillit rajonal, mbajtur 23 tetorin e vitit të kaluar, pati plot momente tensioni e debate, me përfaqësuesin e Mbrojtjes Civile, Giacomo Giampedrone, që dëgjonte shqetësimin e banorëve në shtëpitë poshtë strukturës, si dhe idetë për punime përforcuese.

Ajo së cilës këta njerëz i druheshin ndodhi vërtet. I pyetur nga “Corriere della Sera”, njëri prej projektuesve të urës, inxhinjer Saverio Ferrari rrëfen bashkëpunimin e “Autostrade per l’Italia” me shoqërinë “Le Condotte”, një kompani me historik të dyshimtë që më pas falimentoi.

“Ku vinte dorë ‘Le Condotte’ do të kishte dështim”, shprehet ai. Inxhinjeri mendon se tragjedia ishte kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar, sepse gjatë ndërtimit të urës, nga sa shpjegon Ferrari duke hyrë në detaje teknike, nuk u përdorën shtyllat antisizmike, por shtylla të thjeshta.