Jeni me pushime? Ja deri kur pritet të vazhdojnë rrëbeshet e shiut

Nëse jeni me pushime planifikoni diçka interesante në ambiente brenda, pasi shirat e herëpashershme nuk do t’ju lënë të qetë.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave sot priten shira në të gjitha qarqet e vendit.

“Reshjet pritet të jenë mesatare, deri lokalisht intensive në qarqet Kukës dhe Dibër, dhe të dobëta deri në mesatare në qarqet e tjera”, thuhet në njoftimin e IGJEUM.

Sipas parashikimeve të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak edhe ditët në vijim do të jenë me vranësira dhe me shira me nivel mesatar por që herëpasëhere do të vijnë në formën e shtrëngatave dhe stuhive.

Ajo që vlen për t’u theksuar është fakti se një mot i tillë do të përfshijë te gjithë territorin e vendit, pra edhe zonat bregdetare. Megjithatë mos u shqetësoni pasi temperaturat do të jenë sërish të larta madje do të shkojnë në vlerat e tyre maksimale deri në 35 gradë celsius.