“Fshati Akademik”, gusht dhe gunë

Nga: Edmond Panariti

Në vëmendje të Akademisë së fshatrave, ose më shkurt të “Fshatit Akademik”: Gusht dhe gunë!!… Viti Bujqësor rraskapites, po mbyllet dhe në fshat po përgatiten për dimër, po nis plugimi i tokave, për mbjelljet e vjeshtës, po grumbullohet baza ushqimore për dimërimin e blegtorisë.. dhe prandaj duhen para! Shumë! Por para nuk ka.

Ku do ti gjejnë bujqit dhe fermerët ato? Si dhe me se do të paguajnë për naftën, frezimin, diskimin, plehërimin?! Dhe prej këtej shtrohet edhe pyetja “akademike”! Kur do të shpërndahen paratë e subvencioneve për fermerët?

Sepse deri tani janë paguar vetëm reklamat e xha Agros për propagandë “televizive” dhe “harxhet” e burokracisë së letrave. Apo “kryeakademiku” mendon se bujqësia është mësuar vetëm me fushata mbjelljeje sepse sa për paratë ato do të na duhen për fushatat e “korrjeve” të votave.

Sepse, pasi i shpallim fituesit në “kartë” ashtu siç e kemi bërë zakon edhe katër vitet e shkuara në fundviti bëjmë “korrektim” buxheti dhe futim duart te qesja e Bujqësisë, për ta lënë atë në fund me gisht në gojë.

Me që ra fjala, çfarë mendon “fshati akademik” për zhdukjen e Drejtorive të Bujqësisë, të shërbimit të mbrojtjes së bimëve dhe atij veterinar? Kush do ti mbrojë bimët dhe kafshët nga infeksionet? Kush do ti këshillojë fermerët për mbjelljet, trajtimin e kulturave?! Kush!!!!.. Kush do ti vjelë dhe përpunojë të dhënat statistikore të Bujqësisë, nga prodhimi dhe përpunimi deri te mbjelljet, sipërfaqet, krerët e bagëtisë, pa të cilat harroji fondet evropiane dhe pagesat direkte të cilat lidhen me to? Kush? Apo si kemi problem shifrat se ato i “fabrikojnë ” sipas” porositësit” burokratët, nëpër tabela “excel” nga kompjuteri i kryeakademikut.

Kjo bujqësi pa para, pa shifra…është pa trup dhe pa shpirt… ose thjesht bujqësi e mjerimit.