Meta në vendin ku bashkëjetesa mes serbëve e shqiptarëve është e admirueshme

Presidenti i Republikës, Ilir Meta për pushimet verore nuk ka preferuar detin si të gjithë politikanët, por ka qenë një ndër promovuesit e vendeve më të bukura malore të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kreu i Shtetit ka disa ditë në Alpet e Veriut dhe çdo ditë përmes fotove tregon për vendet turistike. Këtë të enjte, Presidenti Meta ia ka dedikuar Brezovicës, pjesë e komunës së Shterpës. Meta është ndalur në vendin ku ai shprehet se ”bashkëjetesa midis serbëve e shqiptarëve është e admirueshme dhe solide”.

Postimi i plotë i Ilir Metës:

Mirëmëngjes të dashur miq! Kënaqësi të vizitoja fermat ku kultivohen mjedrat më të mira në botë, në komunën e Shterpcës (Brezovicë) dhe një investim bashkëkohor të përpunimit dhe ruajtjes së frutave të pyllit. Vizioni i Bratislavit, Kryetarit të komunës mbështetur tek shpirti punëtor i këtij komuniteti të shkëlqyer ka sjellë ndryshime tepër shpresëdhënëse, duke hapur vende të reja pune dhe të ardhura më të mira për banorët dhe komunën. Shterpca është një komunë model, ku bashkëjetesa midis serbëve e shqiptarëve është e admirueshme dhe solide.