Komedi në Llogara

Nga Agim Xhafka
Komedi në Llogara. Ngjarja në restorant. Menyja mish qingji i pjekur. Porositim 6 racione dhe kërkojmë ujë burimi të freskët.
-Nuk kemi. Po deshët “Tepelena”,ose “Glina”
-Po ja ku e ke çezmën,aty de dera. Mbush një broke dhe sille.
-Nuk lejohet,-dhe rrinte gatitu për të thënë ne “Tepelena”,ose “Glina”.
-Nuk duam fare ujë,-i thashë.
Leko më pa me tmerr. Mish qingji pa ujë,do tërbohemi.
Sa mbaruam gjysmën e mishit ia bëra me shenjë dy miqve të mij.
-Shkoni pini ujë te çezma.
Ikën dhe erdhën shënd e verë. Pas pak iku Leko me gruan. Në fund vajta unë me zonjën time. Sa u ktheva më kapi kamarieri shishen që mbaja në dorë.
-Nuk lejohet të sjellësh ujë me vete!- më tha.
-Eshtë shishe bosh. E pérdora si gotë,-i thashë e ia ngjesha në dorën e tij.
Kur po hipnim në makinë doli kamarieri nga lokali. Pandeha se do kishim harruar gjë. Por jo,ai si ne,shkoi dhe piu ujë burimi.
Eh, ujë Llogaraje që tret gurin jo më qengjin. I dhashë gaz drejt Dhërmiut…