Vasili: S’ka garanci për zgjedhje të lira. Reforma në drejtësi po kapet nga Rama

Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili priti në një takim  Mark Pritchard, përfaqësues i posaçëm i OSBE për Europën Juglindore dhe Ambasadorin Andreas Nothelle, nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së.

Gjatë këtij takimi, Vasili diskutoi me Pritchard për zhvillimet aktuale politike në Shqipëri, ku u ndal veçanërisht te Reforma Zgjedhore. Vasili tha se LSI dhe kryetarja e saj, Monika Kryemadhi vazhdimisht kanë shprehur mbeshtetjen për Reformën Zgjedhore, ndërsa kërkoi mbështetjen e OSBE për të përshpejtuar dhe më tej këtë proces.

Po i afrohemi muajit shtator dhe në qershorin që vjen kemi zgjedhje. Të bësh ndryshime në sistemin zgjedhor e të realizosh zgjedhje sipas atyre ndryshimeve duhet kohë, sepse duhet të trajnohen  mirë e siç duhet njerëzit, qe është dicka që s’realizohet dot për zgjedhjet lokale.Shpresoj që përmes vizitës tuaj të shtyni që këto gjëra të bëhen me ritme sa më të shpejta”,- tha Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili.

Me tej ai u ndal te fenomeni i shitblerjes së votave, për të cilin tha se është problemi kryesor që shoqëron proceset zgjedhore në Shqipëri.

Problemi kryesor është shitblerja e votave. Duhet zgjidhur problemi i shitblerjes së votës sepse përmes tyre del një pushtet i korruptuar, media e kapur, siç e kemi tani, dhe problemi nuk është më thjesht i partive politike por shitblerja e votës është një problem kërcënues për demokracinë. OSBE duhet ti adresojë gjërat në mënyrë më të drejtpërdrejte. Ne kemi që në 2016 që kemi bërë propozimet tona në tavolinën e komisionit se si mund të luftohen këto gjera por nuk janë marrë parasysh. Roli i LSI në të ardhmen do të jetë që të shtyjë për realizimin sa më parë të Reformës Zgjedhore dhe implentimin e relomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet”,- tha Vasili.

Kreu i grupit parlamentar të LSI-se u ndal dhe te Reforma në Drejtësi, për të cilën tha se është kapur nga mazhoranca dhe tashmë është kthyer në një zhgënjim dhe iluzion.

Kryetarja e LSI zj.Kryemadhi i ka ngritur fort publikisht problemin e kapjes së Reformës në Drejtësi nga maxhoranca dhe deformimin e rrezikshëm të saj. Janë shkelur të gjitha afatet dhe tani çdo gjë që po bëhet është antikushtetuese”, -theksoi Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili.