Edi Rama reagon për videon e Berishës: Shpifje! Mediat të verifikojnë para se të publikojnë

Ish-kryeministri Sali Berisha publikoi sot në Facebook një video ku pretendon se është filmuar Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, teksa udhëton me avion charter nga aeroporti i Rinasit.

Lidhur me këtë postim të Berishës që është transmetuar në shumicën e portaleve ka reaguar sot Zyra e Shtypit e Kryeministrit.

Në reagimin e Qeverisë theksohet se ish-kryeministri Sali Berisha ka shpifur si çdo herë tjerët, duke publikuar një informacion të rremë dhe pa asnjë bazë të vërtetë.

Por në reagimin e Kryeministrit u tërhiqet vëmendja edhe mediave që kanë publikuar videon e pretenduar për Znj. Rama, pa bërë më parë asnjë verifikim paraprak.

Deklarata e Zyrës së Shtypit të Kryeministrit:

Sot ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar një lajm të rremë shoqëruar me një video, mbi gjoja një fluturim me charter të zonjës Linda Rama.

Problemi nuk është tek zoti Sali që ka bërë atë që gjithnjë ka bërë më shumë se çdo shqiptar, pra ka shpifur!

Problemi është se një sërë portalesh, e kanë marrë si zakonisht “derr në thes” videoshpifjen e zotit Sali dhe e kanë publikuar pa bërë asnjë verifikim paraprak.

Kjo praktikë copy-paste që i ka kthyer lajmet e rreme në një epidemi digjitale, bie ndesh me çdo liri e të drejtë informimi dhe nuk i shërben as interesit publik e as misionit të medias së lirë“.