Placido Domingo dhe Ermonela Jaho, mahnisin publikun spanjoll me “Thais”

Tenori i njohur Placido Domingo dhe sopranoja shqiptare Ermonela Jaho kanë magjepsur publikun e Festivalit Castell de Peralada (Girona) me operën me intensitet të fuqishëm emocional, “Thais” nga Jules Massenet, shkruan gazeta spanjolle ”El Pais”. Në shtjellimin e kësaj vepre operistike, artistët e njohur kanë magjepsur publikun me zërat e tyre të fuqishëm, nën dirigjimin e korit të Teatrit Real të Madridit.

Në këtë vepër operistike murgu të ri, Athanael-it, në rolin e të cilit performon maestro Placido Domingo përpiqet të shpëtojë nga mëkatet dhe jeta e shthurur kurtizanen Thais, të interpretuar nga sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho. Pas përpjekjeve për të kthyer Thais-in në rrugën e drejtë të Zotit e krishtërimit, murgu rrëmbehet plotësisht nga ndjenjat më të forta për të, duke kapërcyer çdo vlerë, normë e besim të predikuar me këmbëngulje më parë.

“Thais” është një ngjarje që të bën të reflektosh thellë mbi vlerat e shoqërisë, ku ndërthuren emocionet e forta shpërthyese, por edhe natyra medituese e karaktereve që e bëjnë këtë një vepër paksa ndryshe nga operat e Puçini-t apo Verdi-t. Prandaj Jaho e Domingo kanë krijuar me këto role një duet fantastik ku buron prej të dyve pasioni dhe energjia e madhe muzikore.

Ermonela Jaho tashmë njihet për role të mëdha dhe të rëndësishme, sikurse është edhe roli i kësaj shfaqjeje, ku Jaho u prezantua në rolin e Thais. Ajo deri më sot është prezantuar në teatrot më prestigjioze të botës, duke u shpërblyer shumë herë edhe me çmime të rëndësishme. Njëkohësisht Domingo është një zë i rrallë që ka fituar zemrat e spektatorëve në të gjithë botën. ”Thais” u vu për herë të parë në skenë në Operën “Garnier” të Parisit, në 16 Mars të vitit 1894.