VIDEO/ Kokainë për lokalet e natës në Tiranë, dy në pranga. Emrat

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar ‘Pazari i Mesnatës’, duke vënë në pranga dy persona, të cilët shpërndanin kokainë në lokalet me muzikë tallava të Tiranës.

Të arrestuar janë Agostin Zefi, 56 vjeç dhe Zef Bokaj, 30 vjeç, të dy nga Lezha.

‘Për shtetasit e lartpërmendur disponohej informacion se në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me veprimtari të kundraligjshme në fushën e narkotikëve, duke shpërndarë lëndë të dyshuar narkotike të llojit ‘Kokainë’ në lokalet me muzikë dhe tallava, në zona të ndryshme të Tiranës dhe në saj të punës së mirëorganizuar hetimore është bërë arrestimi i tyre në flagrancë pasi në rrugën ‘Kongresi i Manastirit’, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Audi”, brenda të cilit ndodheshin këta shtetas u gjetë një qese me lëndë të dyshuar narkotike të llojit Kokainë”, bën të ditur policia e kryeqytetit.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 200 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit Kokainë, automjet tip ‘Audi’ dhe tip ‘Renault’, dy aparate celularë.

Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim”.