Serbia gjueti ndaj kosovarëve, BE të ndërhyjë urgjentisht

Duket se debati për kufinjtë ka kaluar në rrugë, aty ku Serbia vijon ndalimet e shtetasve kosovarë teksa kalojnë nëpër territorin e Serbisë. Sipas informacioneve të para të Zyrës Ndërlidhëse së Kosovës në Beograd, personi në fjalë është ndaluar për veprat penale, që janë në kundërshtim me Ligjin penal të ish-RSJ-së Neni 125 i ndërlidhur me Nenin 139 i dyshuar për veprën penale për terrorizëm, aktakuzë kjo e ngjashme si edhe për raste të tjera ndaj shtetasve të Kosovës që nga periudha e luftës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, nëpërmes Zyrës Ndërlidhëse të saj në Beograd pasi konfirmon rastin nënvizon: “Ndalimet dhe arrestimet e vazhdueshme të shtetasve të Republikës së Kosovës nga Serbia mund të vlerësohen si një gjueti shtrigash nga autoritetet e këtij shteti dhe praktika të politikave të Millosheviqit”.

Në reagim thuhet se: ”Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i bën thirrje Serbisë që urgjentisht të ndalë keqtrajtimet, maltretimet dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut ndaj shtetasve kosovarë, që në kohën e pushimeve po e shfrytëzojnë shtetin fqinj si rrugë transite”.

Ministria i bën thirrje Bashkimin Europian, shtetet e Quintit dhe komunitetin ndërkombëtarë që urgjentisht t’i tërheqin vërejtjen shtetit fqinj ndaj sjelljeve të tilla dhe kërkon me ngulm lirimin e menjëhershëm të tij.