“Qytetarët konsumojnë produkte të pasigurta”, Pipero: Pasojat nga mishi i ndenjur

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka folur sot në studion e News24 në rubrikën “Opinion” për situatën në vend dhe rreziqet që vijnë nga ushqimet e pakonservuar në kushte të duhura.

Pipero tha se qytetarët shqiptarë konsumojnë produkte të pasigurta. Duke u ndaluar tek mishi i kalbur dhe ai i konservuar në kushte të papërshtatshme, mjeku tregoi pasojat që mund të sjellë në shëndetin e njeriut.

“Varet nga ngarkesa mikrobike që merr një mish i dëmtuar apo i ruajtur jashtë standardeve. Mund të kemi salmoneloza, bruceloza dhe më të rënda. Kur flas për toksikacione flas për helmim shumë të rëndë që marrin konsumatorët. Rrezikshmëria për shëndetin e qytetarëve është shumë e lartë”, deklaroi Pipero.

I pyetur për ujin e depozitave, mjeku tha se nuk përbën rrezik nëse uji që vjen është i pastër dhe nëse nuk është i ndenjur. Për sa i përket klorit ai tha se nuk i shkakton dëme organizmit, raporton “BalkanWeb”.

“Nisur nga eksperienca e gjatë në fushën e shëndetësisë do t’ju thosha që depozita në vetvete nuk përmban rrezik, përmban rrezik nëse shkon uji i ndotur dhe i ndenjur në depozitë rreziku është i shumëfishtë. E njëjta situatë si me ushqimet e mbajtura në kushte jo të mira. Uji ndotet kur bie në kontakt me ujërat e zeza. Një pjesë e madhe e sëmundjeve infektive është e mundur të transmetohet nëpërmjet këtij uji në depozita të amortizuara.
Klori nuk shkakton asnjë dëm në organizëm. Uji i përpunuar me klor qoftë ndonjëherë dhe me doza më të larta është ujë i sigurt. Uji duhet të ketë medoemos klor mbetës që të jetë i sigurt”, deklaroi ai.

Pipero tha se çdo ditë janë mbi 120 raste të sëmundjeve infektive. Ai u shpreh gjithashtu se uji i pishinave është burim infeksionesh dhe këshilloi të gjithë ata që kanë shqetësime të konsultohen me mjekun.