Poetja e re që u vetëvra pas Lorkës

Atë vit që ekzekutuan poetin më të dhimbshëm të Spanjës, Lorka, në jetë erdhi poetja më e dhimbshme e Argjentinës, Pisarnik, e cila i dha fund jetës në një moshë, po aq të re sa edhe Lorka. Federiko Garsia Lorka (1898-1936) – poeti dhe dramaturgu më i shquar dhe më i dhimbshëmi Spanjës së viteve ’20 – ‘30 të shekullit XX. Lindi në Fuente Vaqueros, provinca e Granadës, ku dhe do të merrte frymëzimin për poezitë e para të tij. Studioi në Kolegjin e Almerias. Më 1915 regjistrohet në fakultetin e Letërsisë në Universitetin e Granadës.

Më 1919 vendoset në Madrid, ku u njoh me Huan Romon Himenes (Juan Ramón Jiménez) dhe me Maçadon (Machado). Në ato ambiente Lorka iu kushtua me pasion poezisë, por edhe muzikës e pikturës. Më 1921 publikoi veprën e parë poetike “Libri i poezive”. Më 1925 shkruan “Mariana Pineda”, më 1928 themelon revistën Gallo dhe boton romanca cigane. Më vonë (1929 – 1930), pasi fiton një bursë, shkon në Nju Jork. Mbresat e këtij qyteti i materializoi në vëllimin poetik “Poet në Nju Jork” (1940). Më 1933udhëton drejt Buenos Airesit, i ftuar nga një trup teatrale e atij qyteti. Aty korri sukses duke vënë në skenë disa vepra teatrale të krijuara prej tij. Ndërkohë që kthehet në Spanjë shpërthen Lufta Civile.

Për shkak të funksioneve politike në Republikën e Spanjës, jeta e tij rrezikohej mjaft, prandaj i propozuan të ikte nga atdheu, por nuk pranoi. Më 20 korrik 1936 e arrestojnë falangistët, mu në qendër të Granadës, dhe pas një muaji e pushkatojnë. Ishte vetëm 38 vjeç. Gjatë jetës së tij të shkurtër shkroi nëntë vepra poetike dhe 12 vepra teatrale. Universi lorkian përcaktohet nga një sistematizëm i qartë. Në poezinë e tij ka shumë lirizëm, dashuri dhe dhimbje. Përdor shpesh simbolet dhe elementet.

Ndërsa Alejandra Pizarnik ka të njejtat ndjesi. Alehandra Pizarnik (1936 – 1972) – Poete e shquar argjentinase, përfaqësuese e rëndësishme e surealizmit poetik. Ishte bija e një çifti emigrantësh rus me origjinë hebreje. Pati një fëmijëri të komplikuar. Vuante nga një sëmundje lëkure dhe fliste gati me belbëzim. Këto lanë gjurmë dhe minuan seriozisht personalitetin e saj. Për këtë arsye, qysh herët filloi të merrte amfetamina, gjë që i provokuan pagjumësinë dhe çrregullime të tjera. Mbaroi Universitetin e Buenos Airesit për letërsi, gazetari dhe filozofi (1957).

Jetoi në Paris (1960 – 1964), ku përktheu disa poetë të shquar francezë dhe publikoi poezi dhe kritika në gazeta të ndryshme. Aty krijoi miqësi me Hulio Kortasarin, Roza Çakelin dhe Oktavio Pazin. U kthye në Buenos Aires (1964), ku botoi vëllimet më të rëndësishme të saj me poezi: “Punët dhe netët” (1965), “Nxjerrja e gurit të çmendurisë” (1968) dhe “Ferri muzikor” (1971). Fitoi bursën Guggenheim (1969) dhe atë Fullbright (1971).

Këto vite jetoi në Nju Jork. Më 1971 shkroi në prozë “Kontesha gjakatare”. Më 1972, si pasojë e gjendjes së saj depresive, shtrohet në spitalin psikiatrik Pirovano të Buenos Airesit. Më 25 shtator 1972, në moshën 38 vjeçare, kur kishte dalë prej këtij spitali, me një leje për fundjave, i jep fund jetës, duke gëlltitur 50 hapje Seconal. La si trashëgim 16 libra, shumica e të cilëve janë vëllime me poezi.

/ Shqip