“Nëse do të mundja, do luaja përjetë këtu”, mesazhi i lamtumirë së Mandzukic për Kroacinë

“Të dashur tifozë, mua gjithnjë më ka pëlqyer që të flas në fushë dhe jo jashtë saj. Nisur nga kjo, këto fjalë janë paksa më të vështira se sa e kam pasur për të ndalur një rival apo vrapuar për 20 minuta”. Kështu nis letra mallëngjyese e Mario Mandzukic, që e publikoi në Instagram dhe lajmëroi se i jep lamtumirën kombëtares së Kroacisë.

Bomberi përshëndet përfaqësuesen, një muaj pasi dha kontributin tij në rrugëtimin si finaliste e Kupës së Botës në Rusi këtë verë. Tani në moshën 32-vjeçare, sulmuesi vendosi se për të ka ardhur momenti që t’i përqendrohet vetëm Juventusit dhe t’i japë mundësinë të rinjve që të tregojnë veten.

“Nuk ka moment ideal për t’u larguar nga kombëtarja. Nëse do të mundja, unë do të luaja për Kroacinë përjetë sepse nuk ka krenari më të madhe. Por e ndiej se momenti për t’i dhënë lamtumirën Kroacisë është tani”, shkroi sulmuesi.