Tërmeti i fuqishëm që ra sot në orën 17: 38 në Shqipëri, e ka patur epiqendër rreth 8 kilometra nga qyteti i Burrelit në Qarkun e Dibrës.
Raportohet se tërmeti prej 5.4 ballësh është ndjerë edhe në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, por edhe në Bosnje dhe Itali.
Ndërkohë, deputetja e PD-së e Qarkut të Dibrës, Dhurata Çupi jep alarmin se në zonën e saj elektorale ka banesa të dëmtuara nga tërmeti, duke shtuar se banorët janë të frikësuar për përsëritjen e tij.
Apeli i Dhurata Çupit
Në Qarkun e Dibrës paraqitet shqetësuese dhe me pasoja, situata pas tërmetit, epiqendra e të cilit ishte në Mat.
Nga komunikimet e mia të vazhdueshme banorët të shqetësuar tregojnë se nga tërmeti kanë mbetur shumë banesa të dëmtuara, ndërsa vetë janë të trembur e disa edhe në qiell të hapur.
Ka dëme në dhjetëra banesa në bashkitë Klos, Mat e Bulqizë.
Kjo situatë kërkon angazhimin URGJENT të autoriteteve ligjzbatuese për t’u ardhur në ndihmë banorëve.
Nga komunikimin me institucionin e Prefektit dhe me Organet e Njësive Vendore përgjegjëse, kërkova që strukturat e këtyre institucioneve duhet të angazhohen në këtë situatë që të evidentohet çdo banesë apo familje që ka nevojë për strehim apo mbështetje.