Rrokaj: Armët, qeveria lë qytetarët të bëjnë vetgjyqësi

Për masakrën në Resulaj të Selenicës, aty ku 24-vjeçari Ridvan Zykaj vrau barbarisht 8 persona të fisit të tij, ka reaguar edhe deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj. Duke shprehur ngushëllimet për jetët e humbura, Rrokaj vë theksin tek problemi i armëve. Sipas tij, qeveria nuk ka bërë hap për mbledhjen e armëve që janë në duart e popullsisë civile. ”Armët vazhdojnë të mbeten në duart e popullsisë civile dhe qeveria nuk ndërmerr asnjë hap për mbledhjen e tyre, duke i lënë qytetarët të bëjnë vetgjyqësi”,-shkruan Rrokaj.

Postimi i plotë

Një tragjedi e rëndë ndodhi në Resulaj të Bashkisë Selenicë. Krimi makabër brenda fisit u mori jetën 8 personave, midis të cilëve gra dhe fëmijë. Po kështu disa të tjerë janë të lënduar. Në radhë të parë u shpreh ngushëllimet e mia famijarëve për viktimat e pafajshme dhe uroj shërim të shpejtë të lënduarëve. Ky krim në familje duket të jetë pasojë e problemeve të pazgjidhura të pronës në një nga zonat më të varfëra, të prekura nga fenomeni i drogës, nga skamja dhe emigracioni. Armët vazhdojnë të mbeten në duart e popullsisë civile dhe qeveria nuk ndërmerr asnjë hap për mbledhjen e tyre, duke i lënë qytetarët të bëjnë vetgjyqësi. Në këtë zonë dhe në gjithë Bashkinë e Selenicë, për fat të keq dora e Shtetit është inekzistente, edhe është një nga zonat më të pasura me bitum dhe naftë si dhe me bukuritë e Lumit të Vlorës.