Politika zgjohet pas krimit makabër: Ligje më të ashpra për armët e vrasjet

Në foto: Ceremonia e varrimit të 8 viktimave në Selenicë

Masakra çnjerëzore e Selenicës, ku u vranë barbarisht 8 persona mes të cilëve fëmijë e gra, ka shokuar opinionin publik. Krimi, më i rëndi i dekadave të fundit në Shqipëri është një kambanë alarmi për krizën e shoqërisë së sotme. Përballë një tragjedie të tillë janë të shumta pikëpyetjet sesi mund të ishte shmangur masakra, por tre janë çështjet kryesore që duan përgjigje dhe reagim urgjent nga institucionet. E para është mbledhja e armëve pa leje. Nëse Ridvan Zykaj nuk do të kishte gjetur me lehtësi armët, mbase nuk sot nuk do të numëronin viktimat. E dyta është forcimi i ligjeve dhe ndëshkimi maksimal për veprën penale të vrasjes. Dënimet maksimale janë shembulli që jep shteti për këdo që mendon t’i zgjidhë problemet me vetëgjyqësi. Dhe e treta është kontrolli dhe referimi në polici i gjithë personave me probleme mendore që mund të kenë shenja të sjelljes së dhunshme.

Pas tragjedisë, politikanët e majtë dhe të djathë duket se në distancë kanë një lloj konsensusi për të bërë ndërhyrje ekstreme ligjore për të parandaluar masakra të tilla në të ardhmen. Ideja e parë u hodh të premten në mbrëmje nga politikani i vjetër Namik Dokle. Ish-deputeti i njohur i PS kërkoi “mbledhjen urgjente të Kuvendit dhe ligj i veçantë kundër armëmbajtjes pa leje, me dënim fiks, që të mos mundet asnjë gjyqtar ( i “vetinguar” apo i “pavetinguar”) të bëjë “politike gjyqësore” korruptive”.

Në reagimin publik për ngjarjen e Selenicës, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha shprehet se ngjarja kërkon përgjigje dhe reagim të menjëhershëm institucional për pasigurinë që ekziston në vend. “Vrasja mizore e 8 familjarëve në Resulaj, përfshirë 2 femijë, ka tronditur të madh e të vogël. Mendimet dhe lutjet e mija janë për shpirtrat e të ndjerëve dhe dhimbjen e të afërmve. Sot është dite zie për Vlorën dhe vendin, por dhe reflektimi për pasigurinë që shtohet çdo ditë“,- shprehet Lulzim Basha.

Po sot deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali premton se këto çështje do të jenë në axhendën e Kuvendit. Në një reagim në rrjetet sociale, Spiropali kërkon nisjen e një fushate publike për mbledhjen e armëve. “Fushatë publike për mbledhjen e armëve.  Ligj i posaçëm me dënim të rëndë për ata që zotërojnë armë pa leje.  Dënim maksimal për vrasësit me apo pa probleme mendore. Gjëma e mbrëmshme nuk mund dhe nuk duhet të përsëritet. Jemi pak për të duruar makabritete të tilla. Shpirti i të vrarëve u prehtë në paqe! Zoti u dhëntë forcë familjarëve të mbijetuar!”,- deklaron ligjvënësja e Partisë Socialiste.

Idesë për ndryshime të forta ligjore i është bashkuar dhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Në një reagim në rrjetet sociale, Manjani thotë se shteti dhe institucionet duhet të marrin masa për të shmangur bombat sociale. “Jam dakord me Namik Doklen. Po, duhen mbledhur armët! Por, bashkë me armët duhen mbledhur edhe të sëmurët psiqikë që rrinë rrugëve pa trajtim dhe në përçmim të plotë. Këto janë “bombat lëvizëse” të rendit publik! Arrestimet post mortum nuk mjaftojnë”,-shkruan Manjani në facebook.

Edhe deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj kërkon ndryshimin e politikave të sigurisë dhe marrjen e masave urgjente për armët pa leje. “Ky krim në familje duket të jetë pasojë e problemeve të pazgjidhura të pronës në një nga zonat më të varfra, të prekura nga fenomeni i drogës, nga skamja dhe emigracioni. Armët vazhdojnë të mbeten në duart e popullsisë civile dhe qeveria nuk ndërmerr asnjë hap për mbledhjen e tyre, duke i lënë qytetarët të bëjnë vetëgjyqësi. Në këtë zonë dhe në gjithë Bashkinë e Selenicë, për fat të keq dora e Shtetit është inekzistente, edhe është një nga zonat më të pasura me bitum dhe naftë si dhe me bukuritë e Lumit të Vlorës“,- shprehet deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj.

Pavarësisht qëndrimeve edhe partiake lidhur me mungesën e reagimit institucional, si opozita dhe mazhoranca duket se kanë një qëndrim të përbashkët për ashpërsimin e ligjeve. Tragjedia e Selenicës duhet të mjaftojë që politika, në rrugë institucionale në Kuvend, të rishikojë strategjitë e sigurisë së brendshme, duke nisur nga mbledhja e armëve, por edhe kontrolli i qytetarëve me probleme mendore.

Është një nismë për të cilën nuk duhet humbur kohë dhe nuk bëhet vetëm me një fushatë. Në sesionin e ri të Kuvendit kjo duhet të jetë tema kryesore për të garantuar sigurinë dhe për të shmangur tragjedi të tjera. Nëse qëndrimet për ndryshime ligjore do të përdoren vetëm për politikën e ditës pozitë- opozitë, thjesht do të jemi duke përgatitur masakrën e radhës.

LAJME TË TJERA PËR NGJARJEN NË SELENICË