Masakra e Vlorës/ Agron Duka: Ngjarja e djeshme tregon deficit moral

Ngjarja e ditës së djeshme e ndodhur në fshatin Resulaj të Vlorës, ku u vranë 8 persona, ka shokuar opinionin publik. Kanë qenë të shumta reagimet pas kësaj ngjarjeje, ku nuk kanë munguar edhe komentet e politikanëve opozitarë, pasi nga mazhoranca ende nuk ka patur asnjë reagim.

Lidhur me masakrën e djeshme ka reaguar edhe kreu i PAA-së, Agron Duka. Përmes një postimi në rrjetet sociale Duka shkruan se masakra e djeshme tregon pasigurinë në rritje në vendin tonë.

Sipas tij ngjarja e djeshme mund të jetë vetëm jaja e ‘Ajsbergut’ prandaj për të parandaluar masakra të tilla që ato të mos përsëriten duhet një reflektim i madh i shoqërisë shqiptare.

Ndërkohë Duka u ka shprehur ngushëllimet edhe familjarëve të viktimave të ngjarjes së djeshme, ku 24 vjeçari Ritvan Zykaj u mori jetën 8 të afërmve të tij.

Postimi i Dukës:

Masakra e Selenicës nuk është vetëm pasqyra e një deficiti moral të shoqërisë sonë dhe të pasigurisë në rritje, por edhe imazhi i fshatrave shqiptarë të kthyer në inkubatorë të mjerimit. Të zbrazur, të varfëruar dhe të harruara; ku Selenica mund të jetë vetëm maja e ajsbergut. Për ketë arsye kërkohet një reflektim i thellë dhe serioz mbi zonat rurale, dhe një përgjigje e qartë ndaj sfidës për t’i “urbanizuar” dhe për t’i rigjallëruar ato.

Shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjarëve dhe të afërmve dhe për këtë humbje të rëndë. Shpirti i të vrarëve u prehtë në paqe!