Autori fshihej mes shkurreve, policia tregon se ai kërkoi…

12 orë nga masakra e tmerrshme në Resulaj të Selenicës, Policia e Shtetit arriti të kap mëngjesin e sotëm, autorin e vrasjes së 8 personave. Policia bëri me dije se 24-vjeçari Ridvan Zykaj, u kap në një zonë afër Selenicës dhe se u pikas në momentin që po dilte nga një shkurre.

Në momentin e arrestimit, ai nuk ka bërë rezistencë dhe është shfaqur i qetë. Ai nuk ka thënë asnjë fjalë por vetëm ka kërkuar të pijë ujë. Mësohet se gjatë operacionit janë përdorur kamera termike, dylbi nate, dylbi dite dhe qen gjurmimi. Policia përdori edhe metoda përgjimi por autori e mbylli telefonin pas orës 23:30.

“Si rezultat i punës së mirëorganizuar, krehjes së territorit, kontrolleve të shumta dhe pa ndërprerje gjatë gjithë natës edhe me anë të qenit gjurmes, të përdorur nga ana e strukturave Policore të DVP Vlorë, Renea, Fnsh dhe Delta Forcë, u bë e mundur kapja e autorit të krimit Ridvan Zykaj në një zonë periferike në dalje të Selenicës”,-njofton policia.

Kapja

Ridvan Zykaj, me arsim 8-vjeçar është konstatuar më dylbitë e ditës rreth orës 5 të mëngjesit të së shtunës. Nga policia i është bërë thirrje: ”Dorëzohu hidh armën” dhe nuk ka pasur rezistencë nga ana e 24-vjeçarit. Ai ka qenë i fshehur mes shkurreve në periferi të Selenicës, ka hedhur armën dhe është dorëzuar. Nuk ka folur asnjë fjalë dhe krejt i qetë ka pranuar arrestimin. Po kështu nuk ka shfaqur shenja pendese. Ndërkohë që u përfol se mund të kishte qenë i dehur, burime nga grupi i arrestimit bënë me dije se 24-vjeçari nuk kishte shenja të konsumimit të alkoolit.

Operacioni është drejtuar dhe koordinuar nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili ka qenë vetë në terren.