Argjentina kërkon ringritjen me Icardin, por a do ta lejojë Messi?

Argjentina është gati ta rinisë nga 0, ose e thënë më mirë nga 9-ta. Mediet në vendin amerikano-jugor janë të sigurta që sulmuesi i Interit do të jetë lojtari kryesor i skuadrës së re, edhe pse me trajner të përkohshëm.

Pas përjashtimit nga Kupa e Botës duket se Icardi do të marrë me siguri ftesë për dy ndeshjet e ardhshme të “Albicelestes”, më 7 shtator kundër Guatemalës në Los Angeles dhe katër ditë më pas kundër Kolumbisë në Neë York.

Pyetja më e madhe që ngrihet tanimë është çfarë do të thotë Leo Messi për ndryshimet që ka ndërmend të bëjë trajneri i ri i përkohshëm Lionel Scaloni. Nuk është e fshehtë për askënd se përjashtimi i Icardit nga kombëtarja dhe mospërfshirja e Higuain e Dybala në formacion për ndeshjet e Kupës së Botës është bërë edhe me miratimin e yllit të Barcelonës, i cili praktikisht ishte edhe trajner i skuadrës me ndikimin që kishte te Sampaoli.

Me shumë gjasa edhe Paolo Dybala do të jetë pjesë e skuadrës, me më shumë përgjegjësi, por edhe Giovani lo Celso i Paris SG.